(VIDEO) Shkupi ndër më të ndoturit në Europë, Strumica edhe më keq
Shkupi po përballet përsëri me ndotje serioze të ajrit. Sipas matjeve nga stacionet matëse vendase dhe renditjes së aplikacionit zviceran “IQAir”, indeksi i ndotjes në kryeqytet arriti në 102, gjë që e vendos ajrin në kategorinë “të pashëndetshëm”.
Në listën botërore të qyteteve më të ndotura, Shkupi këtë mëngjes ishte në vendin e 26-të, ndërsa të martën shkupi u rendit I pesti në botë . Ndërkaq, në rajon, një situatë më e keqe u regjistrua vetëm në Sarajevë, e cila u ngrit në vendin e parë në këtë listë famëkeqe.
Ndërkaq sipas statistikave nga qytetet në vend, ndotje edhe më e theksuar se Shkupi u mat në Strumicë, ku indeksi i ndotjes arriti deri në 226. Sipas matjeve të mëngjesit, 35.9 mikrogramë grimca PM 2.5 për metër kub u regjistruan në ajrin e Shkupit, si dhe 2.9 mikrogramë monoksid karboni.
Përqendrimet më të larta të grimcave ndotëse në kryeqytet u regjistruan në Qendër dhe Çair.
Për këtë shkak autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht kategorive të cënueshme – fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grave shtatzëna, që ta kalojnë pjesën më të madhe të ditës brenda, mundësisht me pastrues ajri, dhe të shmangin qëndrimet e zgjatura jashtë.
Anida Murati /SHENJA/

