(VIDEO) Shkup, vazhdojnë problemet me transportin urban, aplikacioni punon, autobusë nuk ka

(VIDEO) Shkup, vazhdojnë problemet me transportin urban, aplikacioni punon, autobusë nuk ka

“Aplikacioni i autobusëve shpesh tregon se autobusi vjen për 2 minuta… por këto ‘2 minuta’  shpesh ngjasojnë si dy orë. Qytetarët planifikojnë udhëtimin e tyre sipas aplikacionit, por autobusët sipas humorit të vet.  Dhe tani më askush nuk i’u beson këtyre njoftimeve të ‘sakta’.”

Aplikacioni zyrtar për oraret e autobusëve është bërë mjeti kryesor që qytetarët përdorin për të planifikuar udhëtimet e tyre të përditshme. Edhe pse javë më parë funksionarët deklaruan se “Shumë shpejt do të kemi një orar të rregullt të autobusëve, dhe se qytetarët nuk do të duhet të presin. Siç është shkruar në tabelat informuese, ashtu autobusët do të mbërrijnë. Kjo është ajo që u duhet qytetarëve, autobusë të rregullt, në kohë, ekologjikë, të pastër dhe të klimatizuar”,

Megjithatë, sipas udhëtarëve, informacioni i dhënë shpesh nuk përputhet me realitetin: autobusët vonohen ose nuk arrijnë fare në kohën e parashikuar, duke i detyruar qytetarët të presin për shumë minuta në stacione. Kjo mungesë saktësie jo vetëm që shkakton pakënaqësi, por ndikon edhe në mënyrën se si qytetarët organizojnë ditën e tyre dhe besimin që kanë tek transporti publik.

 Qytetare

“Po e përdorim. Jo nuk janë të rregullt, nuk janë. Po tashi duhet të jenë të rregullt, tani edhe ne nuk duhet të vonohemi për në punë, i saktë duhet të jetë aplikacioni. Po ndonjëherë është me rregull, tani po e presim 8 ama nuk e dimë ndonjëherë edhe vonohet, nuk është e sakt. Nuk e di pse e bëjnë ashtu. Ç’farë masa, po tani ata që janë përgjegjës për atë do të jenë të rregullt edhe ato, të jenë të saktë”.

Qytetare

“T’ju them të drejtën më shumë më dërgon nipi, shkoj në terapi, mirë është. Aplikacionin për orarin e autobusëve e kam në telefon, nuk është shumë e saktë,  nuk është ashtu siç shkruan, nuk viujnë rregullisht sipas aplikacionit”.

Shumica e qytetarëve shprehen se nuk e përdorin fare aplikacionin pasi nuk është i saktë, ndërsa bëjnë thirrje që të rregullohet në mënyrë që të mund ta planifikojnë më mirë kohën e tyre.

Qytetar 2

“Nuk e përdor aplikacionin për autobusë. Nuk i besoj aplikacionit”.

 Qytetar

“Badihava, kur të vjen atëher. Jo jo nuk e shikoj atë, këtu nuk ka po në do vende që ka jo. Nuk vjen 2\3 minuta lun deri në 5 minuta. Ka pasur rend do herë, tash nuk ka rend, shteti nuk funksionon. Duhet me bo, me pas të caktume sa me nejt atje. Ja gjys ore jan tu nejt atje 3, atje jan tu nejt ato, 3 or jo po 1 or e ka ja shkoj i 4, e çka bëjnë atje, rijnë”.

Qytetare

“Ndonjëherë vijnë, ndonjëher nuk vijnë. Munden ta rregullojnë aplikacionin, sepse në kohë nuk vjen, ndonjëherë shkruan 11 minuta, vjen pas një kohe”.

Edhe pse aplikacioni zyrtar dhe deklaratat e transportuesve premtojnë përmirësime, qytetarët vazhdojnë të përballen me vonesa dhe mungesë saktësie në informacionin e orareve. Për përdoruesit e transportit publik, besueshmëria dhe rregullsia mbeten ende sfida kryesore, duke e bërë pritjen në stacione një pjesë të zakonshme të lodhshme të udhëtimit të përditshëm.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING