(VIDEO) Shkup, pritje me rastin e Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke

Ambasada e Turqisë në Shkup ka shënuar 103-vjetori i Ditës së Fitores së Republikës së Turqisë. Me këtë rast, Ambasadori i Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy, dhe Atasheu Ushtarak, Kolonel Recai Yılmaz, përcollën urimet e tyre në një ceremoni solemne, duke kujtuar me respekt Gazi Mustafa Kemal Ataturk-un dhe dëshmorët që sakrifikuan jetën për lirinë dhe pavarësinë e kombit turk. Në fjalimet e mbajtura, u theksua rëndësia historike e 30 gushtit si një nga fitoret më të lavdishme të popullit turk, si dhe marrëdhëniet e ngushta miqësore e ushtarake midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ambasadori i Turqisë, Ulusoy tha se të qenit i fortë në aspektin e ushtrisë, teknologjisë dhe burimeve njerëzore, është më shumë sesa një zgjedhje, dhe se në këtë kuptim, Turqia ka bërë hapa të mëdhenj në industrinë e saj të mbrojtjes.
Fatih Ulusoy, Ambasadori i Turqisë në Maqedoninë e Veriut
“Pas hapjes së zyrës së ASELSAN-it për Ballkanin në Shkup vitin e kaluar, ne ishim shumë të kënaqur me dorëzimin e obusëve BORAN të prodhuara nga Ndërmarrja jonë Mekanike dhe Kimike për ushtrinë maqedonase në korrik si dhe me bashkëpunimin e nënshkruar midis MKE dhe ATS në mars dhe pjesëmarrjen e ministrave të Mbrojtjes dhe të Brendshëm në Panairin e Industrisë së Mbrojtjes IDEF që u mbajt në Stamboll në korrik”.
Tutje, Ulusoy tha se prodhimi i tyre, i cili përmbush standardet e NATO-s, ka ndikim pozitiv në marrëdhëniet gjithnjë në zhvillim me miken dhe aleaten e tyre, Maqedoninë e Veriut.
Në shënimin e ditës së Fitores së Republikës së Turqisë ishin të pranishëm edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe shumë të ftuar.
Anida Murati /SHENJA/