(VIDEO) Shkolla në Vizbeg sërish nuk u hap, nxënësit e Vizbegut një muaj në rrugë
Dyert e shkollës së re të Vizbegut edhe sot ishin të mbyllura. Në dyert nuk ka të shënuar asnjë njoftim rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Mësimin në objektin e ri në shkollën fillore “Vizbeg” është paraparë ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri të pestën.
Para disa javëve banorët e Vizbegut të revoltuar protestuan para shkollës së re dhe kërkuan hapjen e menjëhershme të saj. Ata thanë se fëmijët kanë ngelur pa mësim për shkak se i kanë tërhequr dokumentet nga shkollat tjera dhe i kanë sjellur në shkollën e re të Vizbegut.
Drejtori i shkollës së Vizbegut, Kadri Elezi ditën e djeshme kishte thënë për mediat që sot do të nis mësimi në këtë shkollë.
Për shkak të zvarritjes së hapjes së shkollës fillore në Vizbeg, qindra nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tri komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Për të mbërritur në shkolla, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra.
Të pyetur nga TV SHENJA, nga komuna e Butelit thanë se momentalisht komisioni po i shqyrton aplikimet e stafit mësimdhënës të shkollës, të cilat duhet të përfundojnë deri javën e ardhëshme, pas së cilës do të duhet të fillojë procesi I rregullt mësimor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/