(VIDEO) Shilegov dhe Filipçe akuzojnë njëri tjetrin për bashkëpuniim me VMRO-në
Pas njoftimit të fundit të LSDM-së se, Bordi Ekzekutiv i partisë mori vendim dhe inicioi procedurë për përjashtimin e Petre Shilegov nga anëtarësia e LSDM-së, ka reaguar edhe lideri i partisë i LSDM-së, Venko Filipçe. Ai akuzoi se Shilegovi është i shantazhuar dhe po punon në favor të VMRO-së dhe tha se është e qartë se duan ta rrëzojnë LSDM-në.
Venko Filipçe, LSDM
“Po luftojmë për mbijetesën dhe për të ardhmen evropiane të shtetit dhe nuk do të lejoj që VMRO-DPMNE, përmes individëve, ta përçajë dhe ta ndajë këtë parti. Kemi të bëjmë me një pushtet kriminal dhe të korruptuar që nuk mund të bëjë asgjë për të ndalur rënien e sondazheve, e cila është e dukshme. E vetmja gjë që mund të bëjnë është ta përçajnë partinë dhe në këtë mënyrë të sundojnë. Ne këtë nuk do ta lejojmë”.
Ndërkaq, ka reaguar edhe ish kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov i cili po ashtu ka akuzuar udhëheqësinë për bashkëpunim me VMRO. Ai tha se, me nisjen e procedurës për përjashtimin e tij nga LSDM-ja, janë konfirmuar pretendimet e tij se udhëheqja aktuale e Lidhjes Socialdemokrate po vepron me marrëveshje në favor të VMRO-DPMNE-së dhe interesave të partisë në pushtet, e jo për LSDM-në dhe anëtarësinë e saj. Ai po ashtu tha se, iniciativa për përjashtimin e tij nga LSDM-ja është marrë në kundërshtim me Statutin e partisë.
Petre Shilegov, LSDM
“Nëse e kanë lexuar Statutin, dhe aty në Bordin Ekzekutiv duket qartë se nuk ka kush ta lexojë, atëherë do ta kenë të qartë se përjashtimin e një anëtari të LSDM-së e bën organizata komunale ku ai bën pjesë, në të cilën kryetari Filipçe ka hyrë për herë të parë kur është zgjedhur kryetar. Do ta lus këtë udhëheqje të LSDM-së të largohet dhe ta çlirojë partinë. LSDM është parti që ka krijuar Maqedoninë e pavarur, është parti e mijëra e mijëra njerëzve të shquar. LSDM nuk është pronë e një grupi që të bëhen pazare me të për lirinë e tyre”.
Kujtojmë se, Bordi Ekzekutiv i LSDM-së dje mori vendim për të iniciuar procedurë për përjashtimin e Shilegovit nga anëtarësia e partisë, pasi ai në një paraqitje televizive një ditë më parë paralajmëroi se së shpejti një grup më i madh socialdemokratësh do të kërkojë dorëheqjen e udhëheqësisë aktuale.
Teuta Buçi /SHENJA/

