(VIDEO) Shënohet në Shkup 25 vjetori i rezolutës 1325 të OKB-së

(VIDEO) Shënohet në Shkup 25 vjetori i rezolutës 1325 të OKB-së

Barazia gjinore nuk është privlegj feminist, as egocentrizëm femëror, por është imperativ human, ka prorositur presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova gjatë shënimit të 25 vjetorit nga miratimi i Rezolutës 1325 të OKB-së – “Gra, paqe dhe siguri”. Ajo tha se, realizimi i të drejtave të grave përforcon legjitimitetin demokratik dhe kredibilitetin e çdo sistemi politik, ndërsa pabarazia e pamundëson drejtësinë, cenon paqen dhe rrezikon sigurinë. Presidentja theksoi se, normat tradicionale të përjashtimit të grave nga procesi i vendimmarrjes nuk janë zakon, por padrejtësi, dhe se dhuna dhe siguria e grave nuk janë “çështje të grave”, por çështje kyçe shoqërore.

Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e RMV-së

Për t’u përballur dhe për të kapërcyer konfliktet, nuk mjafton të nënshkruash një marrëveshje paqeje, por është e nevojshme të ndryshosh marrëdhëniet shoqërore, të respektosh vlerat dhe parimet themelore, të braktisësh reliket e patriarkatit dhe provincializmit dhe të ndërtosh një kulturë demokratike jetese. Do të pajtoheni me mua se gratë kanë aftësinë ta transformojnë deklarativën në realitet, përmes angazhimit të përditshëm, aktiv dhe të gjithanshëm në të gjitha dimensionet dhe sferat e jetës shoqërore”.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, shtoi se në vitet e fundit vetëm një proces negociatash ka përfshirë gratë në tryezën e negociatave, katër herë më shumë gra dhe vajza janë vrarë në konflikte, krahasuar me tre vitet e mëparshme, dhe në të njëjtën kohë shpenzimet ushtarake globale janë rritur me 9.4 përqind.

Mihalis Rokas, euroambasador

Është e nevojshme të kërkohet një transformim i vërtetë i institucioneve, strukturave të pushtetit dhe mënyrave se si ndërtohet paqja, me pjesëmarrjen e plotë të grave në proceset e paqes, forcimin e mekanizmave për t’u marrë me ata që janë përgjegjës për dhunën ndaj grave, forcimin e mbrojtjes së atyre që ndërtojnë paqen dhe aktivistëve që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, integrimin e parimeve të kësaj agjende në ligje dhe buxhete, dhe promovimin e fuqizimit ekonomik të grave”.

Ndërkaq, koordinatorja e Zyrës së OKB-së për Gratë, Vesna Ivanoviq – Kastarde, bëri thirrje të ndërmerren masa për përmirësimin e situatës.

Vesna Ivanoviq – Kastared, UN Women

Jemi dëshmitarë të konflikteve që ndodhin momentalisht dhe derisa flasim për momentin gratë vuajnë dhe vdesin. Në konflikt, nevojat specifike të grave janë veçanërisht të theksuara. Shumë pak misione paqeruajtëse përfshijnë gratë si vendimmarrëse, shumë pak plane veprimi kombëtare financohen globalisht. Ky përvjetor nuk është thjesht një jubile që duhet shënuar, është një thirrje për veprim – për të mbrojtur të drejtat njerëzore të grave, për të luftuar të gjitha format e dhunës ndaj grave, për të siguruar pjesëmarrjen e plotë aktive të grave në të gjitha proceset e paqes dhe sigurisë”.

Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është rezoluta e parë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që njeh ndikimin e veçantë që kanë konfliktet e armatosura mbi gratë dhe vajzat; kërkon pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha fazat e proceseve të paqes dhe vendimmarrjes; kërkon mbrojtje më të fortë ndaj dhunës seksuale dhe bazuar në gjini gjatë dhe pas konflikteve si dhe thekson rolin e grave si aktore aktive për ndërtimin e paqes.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING