(VIDEO) SHBA sanksionoi një kompani nga shkupi për shkak të rrezikut të sigurisë

SHBA ka sankionuar kompaninë maqedonase “Cytrox”, për rolin e saj në zhvillimin e softuerit spiun “Predator”, i cili është përdorur për të synuar amerikanët. Departamenti i Kontrollit të Pasurive të Jashtme të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ka bërë me dije se përveç kompanisë maqedonase, nën sanksione është vendosur edhe kompania greke “Intelexa”, kompanitë “Intelexa Limited” dhe “Talestris Limited” nga Irlanda dhe kompania hungareze “Sytrox Holding”. Po ashtu edhe personat Tal Jonathan Dilian – themelues i konsorciumit Intelexa dhe Sara Alexandra Faisal Hamou – specialiste e koorporatave offshoring e cila ofronte shërbime menaxhimi për konsorciumin Intelexa, po përballen gjithashtu me sanksione.
MARKETING
Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ato ishin të lidhura me konsorciumin Intellexa për sa i përket zhvillimit, funksionimit dhe shpërndarjes së teknologjisë komerciale të softuerit spiun të përdorur për të synuar amerikanët, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, ekspertë të politikës dhe gazetarë.
Departamenti i Thesarit të SHBA-së
“Veprimet e sotme janë një hap përpara në dekurajimin e keqpërdorimit të mjeteve të mbikëqyrjes komerciale, të cilat gjithnjë e më shumë përbëjnë një rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët tanë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përqëndruara në vendosjen e masave të qarta mbrojtëse për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të këtyre teknologjive duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive civile të individëve në mbarë botën”.
Kompania “Cytrox” me seli në Maqedoninë e Veriut, së bashku me tre kompani të tjera nga Greqia, Hungaria dhe Irlanda, u fut në “listën e zezë” amerikane në korrik të vitit të kaluar për shkak të përpjekjeve për të hyrë në sistemet e informacionit, me qëllim të rrezikimit të privatësisë dhe sigurisë së individëve dhe organizatave në mbarë botën.
Emine Ismaili /SHENJA/