(VIDEO) Sela: Urdhri për ndërprerjen e korridorit 8 ka ardhur nga Vuçiqi
MARKETING
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selës ka akuzuar sot se urdhri për ndërprerjen e Korridorit 8 vjen nga Beogradi, konkretisht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Akuzat e tij, Sela i ka argumentuar me një deklaratë të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës së Sërbisë, Goran Vesic, të transmetuar nga Agjencia Bullgare e lajmeve, BGNES, në tetor të vitit 2024. Ministri serb kishte deklaruar atëherë , “Bashkimi Evropian e detyroi korridorin nga Bullgaria në Shqipëri, si dhe atë nga Rumania në Greqi. Ne e kemi parandaluar këtë skenar të errët për Serbinë me vendimin e Aleksandar Vuçiç për të filluar investimet në linjën hekurudhore të Korridorit 10”, ka thënë ai, duke shtuar se, Serbia duhet të luftojë që të bëhet qendra nëpër të cilin kalojnë të gjitha linjat hekurudhore. Artikulli i agjencisë bullgare shkruante në vitin 2024 se, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, madje u përpoq t’i ridestinotet fondet e Korridorit 8 për Korridorin 10.
MARKETING
Sela, përmes një postimi të publikuar në Facebook, i ka bërë thirrje koalicionit VLEN që urgjentisht të bllokojnë këto projekte ogurzeza të Botës sërbe, siç është shprehur ai, ose të paktën të distancohen nga kjo Qeveri.
Zijadin Sela, Kryetar i Aleancës i Shqiptarët
“Kjo është e vërteta e devijimit të Korridorit 8, vendimit për të bllokuar aksin Trebenishtë-Strugë me çka Struga përjashtohet nga Korridori 8 dhe mbetet e izoluar totalisht. Kemi informacione të sigurta se pas Strugës, do të izolohet edhe rajoni i Pollogut dhe Kërçovës dhe prioritet do t’i jepet ndërtimit të një autostrade Manastir-Ohër me çka Korridori 8 devijohet dhe lidhet me Korridorin 10, ndërsa Sërbia bëhet përfundimisht epiqendër dhe bllokon lidhjen e vendit tonë me Perëndimin”.
Në lidhje me ndryshimin e paralajmëruar të trasesë së Korridorit 8 kanë reaguar sërish edhe nga BDI, prej ku thonë se, me këtë po anulohet një korridor strategjik me interes të madh shtetëror, ndërsa kritikoi VLEN-in se po heshtin.
Faton Pollozhani, BDI
“Arsyetimi se kjo po bëhet për shkak të UNESCO-s është një justifikim i dobët për ata që duan të gjejnë arsye për të mos bërë punë. Kur ka vullnet politik, gjenden zgjidhje. Kur nuk ka vullnet, gjenden arsyetime. Problemi nuk është teknik. Problemi është politik dhe i qëllimshëm. Dhe për këtë përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi VLEN-in”.
Reagimet e partive shqiptare vijnë pasi, kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi paralajmëroi se, pjesa e Korridorit 8 që kalon nga Trebenishti deri në Qafë Thanë nuk do të ndërtohet, për shkak të vërejtjeve që kanë marrë nga UNESCO. Kujtojmë se, Korridori 8 është një nga dhjetë korridoret e transportit Pan-Evropian dhe lidh Detin Adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Ndërkaq, korridori 10 kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe Greqi.
Teuta Buçi /SHENJA/

