(VIDEO) Sela: Po “rregullohet” me Ligj diskriminimi i balancuesit, BDI: Po rrënohet MO

(VIDEO) Sela: Po “rregullohet” me Ligj diskriminimi i balancuesit, BDI: Po rrënohet MO

Vazhdojnë reagimet e partive opozitare lidhur me ligjin e miratuar në Qeveri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se me këtë ligj nuk është bërë asgjë tjetër përveç se është rregulluar me ligj keqpërdorimi që bëhej dikur me ‘Balancuesin”.

MARKETING

Ai ka deklaruar se Fronti Europian nuk do mbështes këtë propozim ligj, ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndihmuar shumicën parlamentare për krijimin e një propozim ligji të kompletuar.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“Nuk është bërë gjë tjetër, veç se është rregulluar me ligj keqpërdorimi që i bëhej Balancuesit. Në nenin 6-të të këtij pr/ligji, thuhet se çdo qytetarë në çdo moment ka të drejtë të deklarojë përkatësinë e tij etnike ashtu siç të dojë. Deklaratat e tipit që kjo çështje do të rregullohet me letërnjoftim, është klishe, është rrenë e madhe”,

Propozim ligjin e shumicës parlamentare e ka kundërshtuar për të satën herë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Për më tepër, integristët VLEN-in e kanë quajtur edhe mbetje duke thënë se nga mungesa e dijes dhe servilizmit kanë rrënuar modelet më të suksesshme të Marrëveshjes së Ohrit për demokraci konsensuale.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Nuk e kuptuan balancuesin, i cili nuk ishte një instrument administrativ për punësime, por një mekanizëm i konsensualitetit dhe mbrojtës që siguronte përfaqësim të drejtë, pasqyrim të realitetit demografik dhe ndalonte majorizimin në institucionet shtetërore.  Nuk e kuptuan as modelin e dy drejtorëve me nënshkrim të përbashkët në sektorin e shëndetësisë.

Historia do t’i mbajë mend me emër e mbiemër të gjithë ata që preken themelet e demokracisë konsensuale dhe ndihmuan në përmbysjen e një modeli që funksiononte”.

Ligji për përfaqësim të drejtë është I papranueshëm edhe për ASH-në e Arben Taravarit. Nga ky subjekt thonë se ligji në fjalë nuk garanton barazi reale për shqiptarët, por e thellon diskriminimin. Thonë se si subjekt që nga fillimi kanë paralajmëruar me këmbëngulje se  ky ligj përmban kurthe të rrezikshme.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT – ARBEN TARAVARI

‘Fatkeqësisht, ajo që paralajmëruam sot po bëhet realitet: përfaqësues të VLEN-it jo vetëm që nuk e kundërshtuan këtë produkt politikisht të dëmshëm, por po krakosen me krenari për një ligj të hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska – figurë e njohur për përpjekjet e saj sistematike për të relativizuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për ta zhveshur përfaqësimin etnik nga çdo garanci konkrete”.

Dje Qeveria e ka miratuar ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. I njejti fillimisht do të dorëzohet për mendim në komisionin e venecias e më pastaj do të sillet për tu miratuar në Kuvend.

 

MARKETING