(VIDEO) Samiti i OSBE-së e vendosi RMV-në në hartën e diplomacisë botërore
Viti që lamë pas ishte i stërmbushur me zhvillime të natyrës dhe fushave të ndryshme. Por, ngjarja më kulminante, jo vetëm e vitit 2023, por edhe e gjithë historisë së vendit që nga pavarsia, ishte ajo e udhëheqjes së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në hartën e diplomacisë botërore. Kurora e kësaj ngjarje, ishte organizimi i Këshillit të Ministrave të OSBE-së, më 30 tetor dhe 1 nëntor, në të cilin u vazhdua jetëgjatësia e organizatës, udhëheqjen e së cilës do ta pasonte Malta.
Organizimi i kësaj ngjarje, do të sfidonte sigurinë e shtetit, kështu Ministria e Punëve të Brendshme dhe Njësitet e saj, u kujdesën për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë këto ditë, në disa raste edhe me protokolle të tepruara. Proces ky që u ndihmua edhe nga Armata e RMV-së. Ditën kryesore të Samitit u shpall ditë jopune për administratën shtetërore dhe publike, dhe nuk punuan as shkollat fillore dhe të mesme në zonën e Qytetit të Shkupit.
Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtare dhe shtete partnere të organizatës. Ndër personat e pranishëm më me zë, ishin shefi i diplomacisë së SHBA-së Antony Blinken dhe ai i Rusisë, Sergej Lavrov. Përshkak të këtij të fundit, pjesëmarrjen e anuluan Ukraina dhe shtetet baltike.
Me qenë se do të ishte dalja e parë e një përfaqësuesi të Rusisë në një ngjarje të rëndësishme, Lavrov e shfrytëzoi rastin për të marrë vëmendjen e pothuajse gjithë Samitit, për mënyrën se si mori pjesë dhe deklaratat që i dha. Lavrov iu drejtua Këshillit Ministror në Samitin e OSBE-së duke akuzuar vendet e tjera anëtare, veçanërisht BE-në dhe SHBA-në, për hipokrizi dhe mospërfillje të parimeve bazë të OSBE. Lavrov foli edhe për Kosovën, duke thënë se me shpalljen e pavarësisë më 2008-ën dhe pranimin e saj, është bërë siç tha ai rrëmbimi i Kosovës nga Serbia , kjo duke shkelur Rezolutën 1244 të OKB-ës dhe pa referendum.
Ndërkaq, Blinken ishte i pranishëm vetëm në darkën jo formale që u organizua një ditë para se të niste me punë Samiti. Ai e lavdëroi RMV-në për punën që e ka kryer gjatë udhëheqjes së OSBE-së.
Porosia kryesore e Samitit ishte ndalja dhe denimi i agresionit rus në Ukrainë, deklarata që i dëgjoi edhe vetë Lavrov.
Maqedonia e Veriut zyrtarisht udhëheqjen e OSBE-së e filloi më 1 janar nën slloganin “Bëhet fjalë për njerëzit” dhe e përfundoi më 31 dhjetor 2023.
Emine Ismaili /SHENJA/