(VIDEO) Samiti Bërdo-Brijoni, Begaj-Musar: Nevojitet përshpejtim i procesit të integrimit

(VIDEO) Samiti Bërdo-Brijoni, Begaj-Musar: Nevojitet përshpejtim i procesit të integrimit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në Durrës liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët morën pjesë në samitin Bërdo-Brijuni, një nismë që synon nxitjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Liderët në samitin e sivjetëm diskutuan për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes të Bashkimit Evropian, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë se kualifikuar punëtore.  Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në konferën përmbyllëse për media, duke folur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se ky proces nuk ka vdekur dhe se Sllovenia do të angazhohet për përshpejtimin e këtij procesi.

Nataša Pirc Musar, presidente e Sllovenisë

“Unë jam ithtare e Bashkimit Evropian dhe besoj fort që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, jo vetëm për të mirën e tyre, por edhe për të mirën tonë. Sepse, siguria dhe paqja në Evropë do të jenë në rrezik në qoftë se nuk ia dalim me sukses kësaj gjëje. Marta Kos po punon fort rreth kësaj gjëje dhe besoj shumë se të gjitha 27 vendet anëtare do të njohin nevojën për të përshpejtuar procesin. Kësisoj, Sllovenia do të vazhdojë të jetë promovuese dhe do të vazhdojë të rreket të gjejë zgjidhje për të përshpejtuar procesin”.

Ndërkaq,presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj,  tha se, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Bajram Begaj, President i Shqipërisë

“Rajoni ynë përballet me sfidat e sigurisë, që kërkon një koordinim më të ngushtë mes nesh. Plani i rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë,  përbën një mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik, pasi krijon akses në instrumentet financiare të BE-së, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim. Po ashtu diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim, kirjimine kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë, në vendet e tyre”.

Nga ana e tij, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, përmendi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për të adresuar nevojat dhe problemet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit. Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare, pasi politikat botërore kanë ndryshuar. Presidenti Milanoviç shprehu gjithashtu dëshirën që samiti i radhës të mbahet në Kroaci.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING