(VIDEO) “Safe City” nesër nis me gjoba, MPB apel për kujdes
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga nesër, më 1 shkurt 2026, fillon funksionimi i sistemit “Qytet i Sigurt”, i cili do të zbatohet në territorin e qyteteve Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10. Me vënien në funksion të këtij sistemi, sipas tyre, do të fillojë edhe sanksionimi automatik i shkeljeve në komunikacion të evidentuara nga kamerat e vendosura në pikat kritike të trafikut. Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje shkeljesh.
GOCE ANDRIEVSKI, ZËDHËNËS I MPB-SË
“Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje shkeljesh: parkim të parregullt, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuqe, si dhe drejtim të automjetit me afat të skaduar të lejes së qarkullimit. Sistemi ‘Qytet i Sigurt’ përfaqëson një investim të rëndësishëm në sigurinë rrugore, me qëllim rritjen e disiplinës në trafik, uljen e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetëve të qytetarëve”.
Sipas njoftimeve të MPB-së, sanksionet më të ashpra do të vendosen për kalimin e semaforit të kuq, të cilat do të rezultojnë në një gjobë prej 250 eurosh dhe heqjen e patent shoferit për një periudhë prej tre deri në 12 muaj. Për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, gjobat do të variojnë nga 15 deri në 300 euro, varësisht nga shkalla e shkeljes.
Vijon ndalimi dhe parkimi i paligjshëm i cili do të ndëshkohet me gjoba prej 25 deri në 180 euro, ndërsa drejtimi i një automjeti të paregjistruar do të kushtojë midis 100 dhe 500 eurove. Ministria e Punëve të Brendshme kujton se gjobat mund të ulen me 50% nëse paguhen brenda tetë ditëve.
Anida Murati /SHENJA/

