(VIDEO) Rusopulos: Çdo brez duhet të shkruajë kapitullin e vet
Bashkimi Evropian mëbshtet eurointegrimin e Maqedonisë dhe e ndjek përparimin e vendit, deklaroi kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Teodoros Rusopulos, i cili iu drejtua sot deputetëve të Maqedonisë së Veriut nga foltorja e Kuvendit, ai tha se 75 vjet pas nënshkrimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe 30 vjet pasi vendi iu bashkua Këshillit të Evropës, historia e Evropës vazhdon.
Teodoros Rusopulos, kreytar i AP të Këshillit të Evropës
“Çdo brez duhet të shkruajë kapitullin e vet, jo për të ndryshuar mendimet, por për të mbajtur gjallë premtimin, premtimin se ligji do të mbrojë të dobëtit dhe se e vërteta do të mbijetojë propagandën, se dinjiteti njerëzor do të mbetet dhe do të jetë një masë e qytetërimit”
Ai më tej tha se gjatë 30 viteve të fundit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Maqedonia e Veriut ka treguar se pjekuria morale nuk matet nga madhësia, por nga aftësia për të dëgjuar, respektuar dhe pranuar.
Teodoros Rusopulos, kreytar i AP të Këshillit të Evropës
“Në ato vite të hershme, pata privilegjin të takohesha disa herë me një nga presidentët tuaj të parë, të ndjerin Kiro Gligorov, një burrë shteti i cili mbahet mend për moderimin e tij të qetë dhe besimin e palëkundur në pavarësinë dhe bashkëjetesën paqësore. Ai dikur tha – E ardhmja jonë është në Evropë, por përgjegjësia jonë është këtu, ne duhet të provojmë se kombet e vogla mund të jetojnë në paqe dhe demokraci. Dhe ju keni pasur sukses në këtë. Progresi juaj është i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm”.
Rusopulos po ashtu, ka takuar edhe kryeparlamentarin Afrim Gashi. Të dy kryetarët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dhe iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në një dukshmëri më të madhe të Këshillit të Evropës në rajon. Gashi nënvizoi se përvoja e fituar përmes Këshillit të Evropës është me vlerë të veçantë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se Kuvendi do të vazhdojë të jetë shembull i transparencës, dialogut dhe përkushtimit ndaj standardeve evropiane.
Teuta Buçi /SHENJA/

