(VIDEO) Rroga minimale do të rritet vetëm 30 euro, Qeveria injoron sindikatat

(VIDEO) Rroga minimale do të rritet vetëm 30 euro, Qeveria injoron sindikatat

Çështja e rritjes së pagës minimale vazhdon të mbetet temë diskutimi dhe akuzash të ndërsjella në mes pushtetit dhe opozitës. Qeveria në seancën e së martës më 11 mars do të propozojë 3 anëtarë të Komisionit për Përcaktimin e Përfaqësueshmërisë, i cili duhet të vendosë se cila nga sindikatat do të negociojë në emër të  punëtorëve. Më pas, në mesin e marsit duhet të mbahet seanca e Këshillit Ekonomik dhe Social , i cili duhet të vendos nëse dhe për sa duhet të rritet paga minimale, e cila aktualisht është 22.567 denarë.

Nga Lidhja e Sindikatave të RMV-së kanë kërkuar që paga minimale të jetë 30.000 denarë dhe kontributet shtesë ti paguajë qeveria. Kryeministri Hristijan Mickoski të mërkurën në pres konferencë tha se  buxheti nuk parasheh para për kontribute shtesë që Qeveria do t’i paguante .

Nëse nuk arrihet marrëveshje para 31 marsit, është i sigurt vetëm harmonizimi i rregullt i marsit, i cili sipas llogaritjeve do të ishte rreth 1800 denarë. Kështu, paga minimale nga prilli do të ishte rreth 24.300 denarë. Nga LSM kanë konsideruar se  24 mijë denarë në muaj, që do të ishte paga minimale nga prilli, janë shumë pak për punëtorët, duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës.  Kërkesat e LSM-së kryeministri Mickoski i ka vlerësuar si partiake ndërkaq nga LSM vazhdimisht kanë deklaruar se kërkesat bazohen në qëllime të pastërta të punëtorëve.

Paga minimale në RMV llogaritet sipas një metodologjie për të cilën qeveria e mëparshme, sindikatat dhe punëdhënësit janë dakorduar në shkurt të vitit 2022. Ndër kriteret për harmonizimin vjetor të pagës minimale janë që ajo të bëhet me 50 % të rritjes së pagës vjetore dhe 50 % të rritjes së kostos së jetesës. Si risi atëherë u vendos kushti që paga minimale të mos jetë më e ulët se 57 % e pagës mesatare në vend të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING