(VIDEO) Rritet numri i nxënësve të helmuar në shkollën “Dimo Haxhi Dimov”

(VIDEO) Rritet numri i nxënësve të helmuar në shkollën “Dimo Haxhi Dimov”

Autorititetet po vazhdojnë të publikojnë të dhëna për nxënësit e helmuar në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov”, në Shkup. Drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi tha se edhe tre fëmijë të tjerë, po nga kjo shkollë, i kanë i pranuar mbrëmë në Klinikën e Pediatrisë. Në total, ai tha se janë pesë nxënës që janë të shtruar në spital. Memedi theksoi se të gjithë kanë një pasqyrë klinike të ngjashme dhe simptoma të dyshimta për toksinfeksion alimentar – me dhimbje barku, të vjella, te disa prej tyre edhe diarre dhe temperaturë të lartë.

REXHEP MEMEDI, DREJTOR I KLINIKËS PËR SËMUNDJE TË FËMIJËVE

Të gjithë fëmijët kanë marrë trajtim mjekësor adekuat dhe kujdesin e nevojshëm. Ata janë në gjendje dukshëm të përmirësuar. Të gjithë janë në gjendje stabile”.

Ai sqaroi se ka edhe disa fëmijë me simptoma më të lehta të cilët dje kanë qenë për kontroll në Klinikë, kanë marrë vetëm trajtim ambulator, por janë lëshuar në shtëpi dhe sot kanë qenë për kontroll të radhës.

Ndërkaq, nga Inspektorati i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se janë duke kryer kontrolle të jashtëzakonshme në kuzhinat e 9 shkollave në komunën e Karposhit.

INSPEKTORATI I AGJENCISË PËR USHQIM DHE VETERINARI

Ekipet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, sot po kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në kuzhinat e 9 shkollave fillore në Komunën e Karposhit, me të cilat menaxhon i njëjti operator ushqimi, në pronësi të të cilit është edhe magazina qendrore që ndodhet në shkollën fillore ‘Dimo Haxhidimov’ në Shkup”.

Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, gjatë ditës së djeshme ka mbyllur kuzhinën në shkollën fillore “Dimo Haxhidimov” në lagjen Vllae të Shkupit, pasi një numër i madh nxënësish janë ankuar për dhimbje barku. Të mërkurën nga autoritetet shëndetësore ka pasur njoftime për përkeqësim të gjendjes shëndetësore me probleme të stomakut te nëntë fëmijë, megjithëse nga mësimi kishin munguar rreth 80 fëmijë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING