(VIDEO) RMV shënon ditën e “Shën Klementit të Ohrit”
Në vend sot u shënua 8 dhjetori- Dita e Shën Klementit të Ohrit. Për këtë festë gjetën rastin ta urojnë edhe krerët më të lartë shtetëror.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u dërgoi urime të gjithë besimtarëve të besimit ortodoks me rastin e festës kombëtare të Shën Klementit të Ohrit.
GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA, PRESIDENTE
“Trashëgimia më e madhe e Klementit është shkrim-leximi dhe vlerat që i mundësuan njerëzve të kuptonin librat, dhe në këtë mënyrë të kuptonin veten, të mësonin se janë përgjegjës jo vetëm për jetën e tyre, por edhe për jetën e komunitetit”.
Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi në emër të Kuvendit shprehu urimet më të sinqerta për këtë festë.
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Kjo ditë na kujton se investimi në arsim, kulturë dhe dije është themeli më i fortë mbi të cilin ndërtohet një shtet i qëndrueshëm, i drejtë dhe demokratik. Uroj që kjo ditë të jetë nxitje për një përkushtim edhe më të madh ndaj arsimit, shkencës, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë”.
Këtë ditë e ka kujtuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo ditë na kujton rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të asaj që na ka mbetur si trashëgimia jonë më e vlefshme: gjuha dhe shkrim-leximi. Le të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri të fortë duke investuar në të rinjtë tanë, në njohuri dhe në pasurinë kulturore që na bashkon”.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së theksoi se trashëgimia e Shën Klementit të Ohrit na kujton se këmbëngulja është zgjidhja për çdo sfidë dhe një udhërrëfyes drejt përparimit.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Kontributi dhe këmbëngulja e Shën Klementit të Ohrit në përhapjen e shkrim-leximit edhe gjatë kohërave të persekutimit dhe dënimit janë një kujtesë se forca e një populli qëndron në shkrim-leximin, kulturën dhe arsimin e tij”.
Gjatë ditës u shënuan edhe disa aktivitete në nderë të kësaj feste. U vendosën lule para përmendores së Shën Klementit të Ohrit, që gjendet në oborrin e Universitetit që e mban këtë emër. Në Kuvend u nda edhe çmimi shtetëror “Shën Klementi i Ohrit”, për vitin 2025.
Emine Ismaili /SHENJA/

