(VIDEO) RMV ndryshon qasjen për hekurudhën e korridorit 8

(VIDEO) RMV ndryshon qasjen për hekurudhën e korridorit 8

Pas vizitës së presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, në Shkup, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar qasjen sa i përket projektit hekurudhor që është pjesë e korridorit 8. Nëse më herët zyrtarët qeveritar ishin kategorik se nuk do të nisin ndërtimin e aksit të tretë të hekurudhës, pa nisur projekti në Bullgari, tani ata kanë zbutur retorikën e tyre. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski tha dje se, është lajmi i mirë që ka filluar dialogun me Bullgarinë.

Aleksandër Nikollovski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Hekurudhë me Bullgarinë do të ketë në atë moment kur ne dhe Bullgaria do të dakordohemi se do ta përfundojmë hekurudhën bashkërisht”.

Ndërkaq, vetëm një javë më parë, i njëjti ministër shprehu skepticizëm rreth realizimit të këtij projekti.

Aleksandër Nikollovski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Unë jam ende kundër këtij projekti. Ky projekt sigurisht që nuk do të funksionojë. A do të punojmë për një projekt të ri do të shohim”.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, para vizitës, akuzonte Bullgarinë dhe Shqipërinë se nuk janë të interesuara në realizimin e projektit.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së (17.10.2024)

Ne nuk do t’i harxhojmë gjysmë miliard euro para tuaja, derisa nuk është gati projekti nga pala bullgare. Sepse, nuk do të ndërtojmë hekurudhë e cila do të përfundojë në qorr sokak, në gjysëm tunel”.

Megjithatë, nga Ministria e Transportit dhe Komukimimeve të Bullgarisë thanë për TV Shenja se, Bullgaria po zhvillon aktivitetet e duhura për këtë projekt dhe se, punimet e ndërtimit të hekurudhës që mungon në pjesën bullgare pritet të nisin në vitin 2026 dhe do përfundojë më së voni deri në vitin 2030.

Ministria e Transportit dhe Komunikimeve të Bullgarisë

Prej vitesh Bullgaria ka bërë përpjekje për të nxitur zhvillimin e korridorit të transportit, sepse ndërtimi i tij është një prioritet kyç infrastrukturor. Vendi ynë konfirmon angazhimin e tij të qartë për arritjen e një progresi real në këtë projekt. Në një masë veçanërisht të madhe, kjo vlen për seksionin hekurudhor ndërkufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut nga tuneli në Deve Bair deri në Gueshevo, me qëllim të lidhjes së shpejtë të sistemeve hekurudhore të dy vendeve brenda afatit 2030 të përcaktuar nga Rregullorja TEN -T”.

Sa i përket pjesës që duhet të ndërtojë Shqipëria, Mickoski madje shtroi dilemën nëse ky projekt ekziston në Shqipëri

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së (17.10.2024)

Pyetja e vërtetë është, deri ku është ky projekt në Shqipëri, a ekziston aty projekt, a ka fillu Qeveria atje ta bëjë, a është aty një ndër prioritet.

Por, të kundërtën e thotë për TV Shenja Drejtoria e Hekurudhave të Shqipërisë.

Drejtoria e Hekurudhave të Shqipërisë

Korridori VIII është i ndarë në dy segmente në territorin shqiptar: Durrës – Rrogozhinë, për të cilën planifikojmë të finalizojmë marrëveshjet financiare brenda këtij viti, dhe Rrogozhinë – Pogradec, për të cilën është finalizuar projekti preliminar dhë është aplikuar pranë ËBIF për një grant për asistencë teknike për projektin e detajuar. Përsa i përket lidhjes me RMV, ju njoftojmë që është dorëzuar një aplikim i përbashkët (RMV – Shqipëri) pranë ËBIF për një studim të ri pre-fizibiliteti që do të përcaktojë gjurmën e re të lidhjes hekurudhore midis dy shteteve”.

Korridori 8 është pjesë e 10 korridoreve pan-evropiane të transportit, i cili duhet të kaloj nëpër qytetin e Durrësit, Elbasanit, Shkupit, Sofjes, Plovdivit, Burgasit dhe Varnës dhe është i gjatë 1,500 km. Gjatë vizitës që presidentja e KE-së realizoi në Shkup më 24 tetor, gjatë konferencës për media, theksoi rëndësinë e investimeve në projektin hekurudhor që është pjesë e korridorit 8 dhe që lidh vendin me Shqipërinë dhe Bullgarinë si dhe investimet në korridorin 10, duke thënë se, këto investime do ta shndërrojnë Maqedoninë e Veriut në qendrën kyçe të transportit si dhe do të sjellin shumë përftime për qytetarët.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING