(VIDEO) RMV i jep lamtumirën e fundit 59 të vdekurve nga zjarri

(VIDEO) RMV i jep lamtumirën e fundit 59 të vdekurve nga zjarri

Katër ditë pas tragjedisë, 30 nga 59 viktimat që humbjën jetën në zjarrin që përfshiu diskotekën “Pulse”, iu dha lamtumira e fundit në varrezat e qytetit në Koçan. Mijëra qytetarë me lotë në sy e pikëllim të thellë, kishin ardhur në varreza për t’i nderuar viktimat, ata vendosën lule dhe ndezën qirinj te varrezat.

Ceremonia e varrimit i u mbajt me protokolle të posaçme, pasi familjarët kërkuan që të përshëndeten në heshtje për herë të fundit me më të dashurit. Ceremonia u sigurua me polici dhe zyrtarë të rendit, ndërsa ekipet e gazetarëve nga vendi e ndoqën ngjarjen prej më larg, sipas rekomnadimeve për raportim etik me qëllim që të mos cenohet dinjiteti i familjes së viktimave.

Te varrezat kishte edhe ekipe të kryqit të Kuq dhe ekipe të mjekëve, të cilët u ndihmonin personave të cilëve u përkeqësohej gjendja.

Gjendja ishte e ngjashme edhe në pjesën tjetër të qytetit. Gjithçka në qytet ishte e mbyllur dhe mbizotëronte një heshtje e zymtë. Ndërsa, qytetarët edhe sot vendosën lule e ndezën qirinj pranë fotografive të viktimave të vendosura në sheshin e qytetit.

Ndërkohë, nga 29 personat e tjerë që humbën jetën nga zjarri, pesë u varrosën në Shtip, ndërsa për viktimat e mbetura u mbajtën ceremonitë mortore në Obeleshevë dhe Shkup. Edhe në këto qytete, qytetarët ndezën qirinj dhe u nënshkruan  në librin për ngushëllime.

Kujtojmë se, në orët e para të 16 marsit, në një diskotekë në Koçan shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 170 u lënduan. Në lidhje me tragjedinë, aktualisht janë nën hetime 26 persona, pasi lokali që u përfshi nga zjarri, kishte funksionuar në kundërshtim me ligjin.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING