(VIDEO) Rikthehet “Shkupi 2014”, Qoseto nga depoja u kthye në bulevardin Aleksandri i Madh

(VIDEO) Rikthehet “Shkupi 2014”, Qoseto nga depoja u kthye në bulevardin Aleksandri i Madh

Përmendorja e revolucionarit kontrovers maqedonas Andon Lazov-Qoseto, pasi bëri disa shëtitje për vite me rradhë  nëpër qytetin e Shkupit, më në fund ka gjetur vendin e vet. Me thikë në dorë, me pistolë dhe kobure, ai në orët e mbrëmjes është vendosur  në rrethrrotullimin pranë hotelit “Continental” në Shkup. Pikërishtë këtë  përmendore, në vitin 2018, kryetari i atëhershëm  i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov e hoqi, duke thënë se ishte objekt i paligjshëm. Pas heqjes, shtatorja u ruajt në një depo. Qosja është i njohur si likuidues i VMRO-së. Ai konsiderohet ndër terroristët më të njohur të VMRO-së.

Kur përçarjet politike janë më të thella dhe më të theksuara se kurrë në aspektin politik, “Qoseto”, i bëri bashkë të gjithë partitë politike maqedonase, të cilët i tejkaluan bindjet politike dhe në gusht të vitit 2023 për rikthimin e shtatores votuan 15 këshilltarë nga VMRO-DPMNE, 4 nga Levica, një nga Lidhja Demokratike, një nga GROM dhe këshilltarja Irena Vitina, e cila u largua nga VMRO-DPMNE dhe mbështet Danella  Arsovskën.

Lajmin për vendosjen e përmendores e bëri të ditur  kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila madje thurri  vargje të bukura për të nderuar figurën e Andon Qosetos.

DANELLA ARSOVSKA,KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT

“Andon Lazov-Qoseto, i njohur për shpirtin e tij luftarak dhe sfidën, është një simbol i historisë maqedonase dhe një nga pjesëmarrësit e shquar në Kryengritjen e Ilindenit. Roli i tij në lëvizjen revolucionare është me rëndësi të paçmuar për lirinë dhe pavarësinë e sotme të vendit tonë”.

Ndryshe, Qoseto është një nga pesë monumentet që Qyteti i Shkupit mori si donacion nga Shoqata për Unitetin Shpirtëror të Setincëve, Popadincëve dhe Krushoradi nga Lerini.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING