(VIDEO) Rikonstruimi i Qeverisë, Janeva në shëndetësi, arsimi në duart e VLEN-it

Pasi Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit vendosi të del nga qeveria, kanë filluar kalkulimet dhe këmbimet për dikasteret ndërmjet VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.
MARKETING
Njëri ndër krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në emisionin 360 gradë tha se nuk e përjashton mundësinë që “VLEN” t’ia “jep” Ministrinë e Shëndetësisë VMRO-së, dhe në këmbim të marrë një ministri tjetër, me çka është duke u shqyrtuar mundësia që sektori i arsimit të kalojë në koalicionin “VLEN”, ndërsa shëndetësia t’i jepet VMRO-DPMNE-së.
BILALL KASAMI, KRYETARI LËVIZJES BESA
“Ne negociuam me kryeministrin, pra me kryetarin e VMRO-së, si VLEN dhe marrëveshja është midis VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së për të formuar Qeverinë. Në takimet e fundit me kryeministrin, është konfirmuar edhe një herë se ne mbetemi të përkushtuar ndaj të njëjtave angazhime. Pra, marrëveshja mbetet midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it dhe pozicionet e VLEN-it mbeten të sigurta”.
E pyetur nëse do ta zëvendësonte Taravarin në shëndetësi, ministrja aktuale e Arsimit Vesna Janevska tha se është herët për të menduar për një gjë të tillë.
VESNA JANEVSKA,MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Qeveria ka një kryeministër dhe ndoshta edhe një ekip negociator. Kjo është puna e tyre, ata do të thonë si do të jetë.Është shumë herët për të menduar për diçka të tillë, do të thonë ata që janë përgjegjës, kur të vijë ai moment, atëherë do të flasim”.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kasamit, Janevska tha se është njoftuar nga mediat. Megjithatë, për momentin ajo tha se është e fokusuar në ministrinë që drejton, pasi sipas saj, ka shumë punë për tu bërë.
Kujtojmë se ka edhe shumë institucione tjera që udhëhiqen nga kuadër të ASH-së, të cilat mbetet të shifet në ditët në vijim se si do merren vesh parnerët e koalicionit qeverisës.
Samir Mustafa /SHENJA/