(VIDEO) Riaktualizohet çështja e “Branitellave”, Angellov: Ligji miratohet pas zgjedhjeve lokale

(VIDEO) Riaktualizohet çështja e “Branitellave”, Angellov: Ligji miratohet pas zgjedhjeve lokale

Ligji i “Branitellave” do të miratohet pas zgjedhjeve lokale. Kështu ka deklaruar kreu i partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angellov në emisionin “Samo vistina”. Sipas Angellov, ky ligj do të miratohet pas lokaleve për të mos i prishur punë partnerit shqiptar të koalicionit, VLEN. Thotë se në pyetje janë disa muaj dhe se pas kaq pritjesh pak muaj që kanë ngelur nuk janë problem.

MARKETING

STOJANÇE ANGELLOV- DINJITETI

Pres që pas zgjedhjeve lokale, atë që kemi rënë dakord, në pjesën e Branitellave, të jetë e realizuar. Jo tani, sepse kjo do t’i prishte punë partnerit tonë VLEN-it. Unë mendoj strategjikisht, ato kritika i pranoj. Dobësimi i VLEN-it në këto momente do të hapte derën për BDI-në. A duhet ne këtë ta bëjmë?”

Deklaratën e Angellov, i cili për më tepër mban edhe pozitë në Qeverinë që kryesohet nga VMRO-ja e kanë komentuar nga koalicioni VLEN.

Për TV Shenja nga VLEN thonë se Stojançe Angellovi nuk përbën as autoritet politik, as faktor relevant për çështje që prekin shqiptarët, dhe asnjë deklaratë e tij nuk meriton trajtim serioz.

Nga VLEN gjithashtu shtojnë se nuk merren me figura periferike të skenës politike maqedonase.

VLEN

Ajo që është me rëndësi thelbësore për ne, është që VLEN e ka thënë qartë dhe me vepra: ky ligj për “branitellat” nuk kalon! Pa përfshirjen e drejtë, të barabartë dhe me dinjitet të statusit të pjesëtarëve të UÇK-së, nuk mund të ketë ligj për asnjë palë tjetër. Kjo nuk është çështje teknike apo momentale, por vijë e kuqe për VLEN-in. VLEN është i vetmi subjekt politik që përmes deputetes Imerlije Saliu e ka bllokuar ‘ligjin për branitellat’. Nuk jemi të interesuar për deklarata e spektakël, por për qëndrime të qëndrueshme dhe veprime reale”.

Deklarata e ish komandatit ka ngjallur reagim edhe tek opozita shqiptare. Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit ka deklaruar se ky prononcim i Angellovi-t, nuk është thjesht një manovrim politik, por një tradhti e qartë ndaj interesit kombëtar shqiptar. Sipas ASH-së, kjo edhe një herë dëshmon se VLEN në Qeveri është për pozita, jo për shqiptarët.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT – KRAHU I TARAVARIT

VLEN nuk është zëri i shqiptarëve, por zgjatimi i politikave që mohojnë të kaluarën tonë, VLEN është në Qeveri për karrige, jo për parime, dhe se VLEN është e gatshme të heshtë për ligje që lartësojnë strukturat që luftuan kundër shqiptarëve, vetëm për të ruajtur pozitat e pushtetit. Aleanca për Shqiptarët e ka parë me kohë këtë realitet të hidhur për shqiptarët, dhe për këtë arsye ka braktisur këtë qeveri të pabarazisë dhe diskriminimit etnik, ku shqiptarët shihen si dekor dhe jo si partnerë të barabartë”.

Debati për “Branitellat” nuk është moment i ri politik, debat i ashpër mbi këtë temë u realizua në Kuvend në komisionin për Politikë Sociale me muaj të tërë. Të bashkuar për të mos lejuar miratimin e këtij ligji ishin të gjitha partitë politike shqiptare.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING