(VIDEO) Rezoluta për Ukrainën – Opozita pyet pse po izolohet vendi, kryeministri arsyetohet

(VIDEO) Rezoluta për Ukrainën – Opozita pyet pse po izolohet vendi, kryeministri arsyetohet

Deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, në seancën e sotme për pyetje deputetësh, ka kërkuar sqarim nga kryeministri në lidhje me pozicionimin e vendit gjatë votimit të rezolutave për Ukrainën në asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Sipas Petrovskës, me mos votimin e rezolutës së mbështetur nga BE-ja, u konfirmua edhe një herë se politika ndërkombëtare e ndjekur nga kjo Qeveri është pa orientim dhe kaotike dhe ajo nuk është në harmonizim me partnerët dhe politikën evropian.

Sllavjanka Petrovska, LSDM

Duke votuar e përmbajtur, Maqedonia u gjend në shoqëri të papërshtatshme me vende si Gana, Bangladeshi dhe Zambia. Derisa të gjithë fqinjët tanë, si dhe vende me lidhje të forta transatlantike, votuan “për”. Kjo hap dilemën: nëse Maqedonia e Veriut mbetet në rrugën evropiane apo po shkon drejt izolimit gjeopolitik? Diçka që për VMRO – DPMNE, nuk është e panjohur nga e kaluara. Kryeministër, të votosh i përmbajtur, do të thotë të mos kesh qëndrim apo të mos kesh strategji. Ju deklaruat se keni nisur një fushatë diplomatike për t’i shpjeguar botës se çfarë padrejtësish po i bëhen Maqedonisë”.

Ndërkohë, Mickoski në përgjigjen dretjuar Petrovskes tha se, Maqedonia, në koordinim të plotë me SHBA-në, votoi e përmbajtur për rezolutën e ndryshuar që më parë kishte kaluar në Këshillin e Sigurisë.

Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE

Vendimi ishte i tillë, sepse kishim zgjedhjen ose të rreshtoheshim ndër të parët së bashku me partnerin tonë strategjik, SHBA-në, ose të mbështesnim qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian. Kur pamë se në Bashkimin Evropian nuk kishte një qëndrim të përbashkët për rezolutën, atëherë ishte logjike të mbështesnim rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Këshillin e Sigurimit ka vende anëtare të përhershme dhe vende anëtare që ndryshojnë. Pyetja është pse ato vende anëtare, të përhershme apo të përkohshme, që janë pjesë e BE-së, nuk e bllokuan miratimin e rezolutës së SHBA-së?! Pse nuk votuan kundër?

Kujtojmë se, në asamblenë e përgjithshme të OKB-së që u mbajt më 24 shkurt, Maqedonia e Veriut votoi e përmbajtur për rezolutën e mbështetur nga BE, që dënonte agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa mbështeti atë të SHBA-së që bënte thirrje për ndaljen e luftës, por në të nuk përmendej agresioni rus.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING