(VIDEO) Rexhepi-Zejdi propozoi rezolutë për identitetin maqedonas, Mickoski refuzoi
Deputeti i Frontit Europian, Skender Rexhepi – Zejdi, në seancën për pyetje deputetësh, i ka propozuar kryeministrit Hristian Mickoski, që Kuvendi njëzëri me 120 vota “PËR” të votojë një rezolutë përmes të cilës do të garantohet ruajtja e identitetit dhe gjuhës maqedonase me të vetmin qëllim, fillimin sa më të shpejtë të procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe integrimin sa më të shpejtë të RMV-së në Bashkimin Europian.
Rexhepi tha se propozon një iniciativë të tillë për gjuhën dhe identitetin maqedonas edhe pse një garancë të tillë nuk e merr mbrapsht nga partitë maqedonase për gjuhën dhe identitetin shqiptar në vend. Sipas Rexhepit, gjeneratat e ardhshme do të mallkojnë atë që këtë vend po e çon drejt izolimit dhe nuk po i bën ndryshimet e nevojshme për integrim.
SKENDER REXHEPI – ZEJDI, DEPUTET
“T’i fillojmë ndryshimet Kushtetuese, me një parakusht të gjithë deputetët 120 ta sjellim një rezolutë me të cilën do të mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas sepse këtë e kemi obligim të gjithë, pavarësisht se nga ana e maqedonasve nuk është i njëjti reciprocitet. Por, ne do të propozojmë të bëjmë një rezolutë ta kemi gjithë unanime këtë rezolutë dhe menjëherë pas saj të shkojmë në ndryshime kushtetuese, sepse nga vendimi të cilin do e merr Qeveria bashkë me Kuvendin varet ardhmëria e gjeneratave që vijnë”.
Pavarësisht propozim-rezolutës nga ana e Rexhepit, kryeministri Hristian Mickoski siguroi se derisa ai është kryeministër, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë pa marrë garanca se nuk do të ketë kërkesa të reja dhe se nga këto ndryshime do të fitojnë të drejtat e mohuara edhe pakica maqedonase në Bullgari.
Mes akuzave për Bullgarinë, Mickoski përmendi si shembull pozitiv mënyrën se si Shqipëria dhe kryeministri Rama, trajtojnë pakicën maqedonase atje.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë, derisa unë jam kryetar i Qeverisë, nëse nuk përmbushen së paku dy kushte. Kushti i parë komuniteti maqedonas në Bullgari t’i fitojë të drejtat e garantuara në bazë të marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nuk kërkojë nga ata që të ndryshojnë kushtetutën. Kërkesa e dytë derisa nuk marrim garanca për identitetin tonë për të cilin pres edhe mbështetjen tuaj si bashkëqytetar, për gjuhën time maqedonase për atë se nuk do të ketë më veto bilaterale”.
Përplasje mes dyshes Rexhepi-Mickoski kishte edhe për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë në institucione, i cili sipas opozitarëve nuk përmbush normativën ligjore. Rexhepi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mosdeklarim të etnisë u pamundëson institucioneve pasqyrimin e gjendjes reale për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Nga ana tjetër, Mickoski tha se është garancë vet ai dhe se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë shkeljen e njërës ose palës tjetër në cilin do qoftë institucion.
Mevludin Imeri /SHENJA/

