(VIDEO) Reshjet shkaktuan dëme, në Kërçovë evakuohen 100 persona

(VIDEO) Reshjet shkaktuan dëme, në Kërçovë evakuohen 100 persona

Rreth 100 persona janë evakuuar nga vendbanimet e tyre, si pasoj e reshjeve të dendura të shiut ditët e fundit. Siç ka njoftuar Qendra e Menaxhimit të Krizave, të evakuuarit janë të një lagjeje të komunës së Kërçovës. Si pasoj e daljes së lumenjve nga shtrati, gjithashtu janë vërshuar shumë lagje, toka bujqësore, shumë shtëpi dhe ndërtesa të tjera.

QENDRA E MENAXHIMIT TË KRIZAVE

“Në Komunën e Kërçovës, në rrugën ‘Prilepska’, janë përmbytur disa objekte banimi. Është kryer evakuimi i rreth 100 personave, të cilët janë strehuar në sallën sportive ‘Hristo Uzunov’. Personave të evakuuar u janë siguruar ushqim, ujë, shtretër, dyshekë dhe batanije”.

Gjithashtu njoftojnë se lumenjtë kanë dalë nga shtrati në Kërçovë, Gostivar, Ohër e Manastir.

QENDRA E MENAXHIMIT TË KRIZAVE

“Është vërejtur dalja nga shtrati i lumit Lakaviçka në fshatin Malo Turçan dhe e lumit Sushçka në fshatin Banjicë e Epërme, Komuna e Gostivarit. Në Ohër, Lumi Daljan ka dalë nga shtrati në disa vende, duke përmbytur një numër të madh shtëpish”.

Në Kërçovë,  janë regjistruar gjithashtu dalje nga shtrati të lumit Zajashka në zonën mbi stadiumin “Vllazërimi” dhe shkollën e re “Sande Shterjoski”, si dhe dalje nga shtrati e lumit Treska në tokë bujqësore.

Në komunat e përmendura janë evidentuar bodrume, garazhe dhe oborre të përmbytura në disa lokacione.

Nëpër vendet që reshjet ishin të borës, gjithashtu u shkaktuan disa probleme mëngjesin e së ejtës me bllokime rrugësh, ndalesë kalimi për automjete të rënda dhe u theksua nevoja për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.

Lidhja Auto-moto e Maqedonisë në mëngjes njoftoi se trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër korsi të lagështa. Si pasojë e reshjeve të borës në pikën  kufitare “Mexhitlija”, u caktua ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda për 48 orë.

LIDHJA AUTO-MOTO E MAQEDONISË

“Lidhja Auto-moto e Maqedonisë rekomandon përshtatje të shpejtësisë së lëvizjes, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe drejtim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë”.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike temperaturë më e ulët mëngjesin e sotëm është regjistruar në Kodrën e Diellit, minus 4 Gradë, ku njëkohësisht reshjet e borës kishin arritur në 31 centimetër. Gjithashtu bënë me dije se reshjet e shiut dhe ato të borës në vendet më të larta, do të vazhdojnë, ndërsa temperaturat do të vazhdojnë të bien.

DREJTORIA PËR PUNË HIDROMETEOROLOGJIKE

“Moti nesër do të jetë pjesërisht me vranërisa dhe disa periudha me diell. Gjatë pasdites, do të ketë reshje të kohëpaskohshme shiu në pjesët veriperëndimore dhe borë në male. Edhe të shtunën, do të ketë reshje lokale shiu dhe në vendet më të larta borë. Të dielën dhe të hënën, do të fryej erë e fortë veriore. Temperaturat do të ulen, ajo ditore do të jetë nën 0”.

Vozitësit e automjeteve rikujtohen se është në fuqi masa e domosdoshme e posedimit të pajisjeve dimërore nëpër automjete.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING