(VIDEO) Regjistrimi i popullsisë, VLEN dhe BDI me akuza të ndërsjella

(VIDEO) Regjistrimi i popullsisë, VLEN dhe BDI me akuza të ndërsjella

Pasi Gjykata kushtetuese e shfuqizoi metodologjinë e Entit të Statistikave në ndarje të qytetarëve në rezident dhe jorezident  gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 2021 kanë vazhduar edhe sot përplasjet mes partive politike shqiptare.

MARKETING

Koalicioni VLEN akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për tradhti kombëtare. Nga ky koalicion thonë se BDI-ja dhe Ali Ahmeti e shitën mërgatën për tendera.

Blerim Sejdiu nga koalicioni VLEN bën krahasime mes regjistrimit në disa zona shqiptare dhe numrit të votuesve në po të njëjtat zona. Sipas VLEN, regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 u shit dhe BDI i preu në besë shqiptarët.

SINKRON: BLERIM SEJDIU, VLEN

“Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare? Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3.432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fshatin Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë? Apo ka shpërngulur njerëzit në ‘botën e statistikave të fshehta’”?

Me reagim për regjistrimin e popullsisë kanë dalë edhe nga BDI-ja. Nga ku thonë se në vazhdimësi janë duke e ndjekur  me shqetësim të thellë fushatën e koordinuar për diskreditimin e procesit të fundit të regjistrimit të popullsisë, një proces që sipas internistëve ka qenë, ligjor, transparent dhe tërësisht i monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.

Për internistët fushata e organizuar e partive shqiptare në pushtet kundër regjistrimit nuk është e rastësishme.

TABELË: BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Fushata është pjesë e një skenari më të gjerë për të rishkruar të gjitha arritjet e dekadës së fundit, për të bërë një regjistrim të ri sipas agjendave të reja politike, dhe për të rikthyer pabarazinë sistematike. E gjithë kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, për të kontestuar barazinë e fituar me shumë mund dhe për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në vend”.

Në këtë debat më herët ishte përfshirë edhe kryeministri, i cili nga foltorja e Kuvendit kishte propozuar që të bëhet regjistrim i jashtëzakonshëm elektronik i popullsisë vitin e  ardhshëm, por këtë e kushtëzoi që të pranohet propozimi i tyre për një njësi zgjedhore, megjithatë, një ditë më vonë propozimin e njëjtë e tërhoqi vet Mickoski i cili tha se regjistrimi i rregullt duhet të ndodh në dy vitet e para të fillimit të dekadës, duke aluduar se në vend regjistrim të popullsisë mund të ketë në vitin 2031 apo 2032.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING