(VIDEO) Reagime ndaj tifozëve maqedonas, thirrjet e cenojnë frymën e bashkëjetesës

(VIDEO) Reagime ndaj tifozëve maqedonas, thirrjet e cenojnë frymën e bashkëjetesës

Thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë kanë prekur dhe kanë nxitur reagime edhe nga përfaqësuesit shqiptarë nga rajoni. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se këto thirrje janë të papranueshme dhe se e cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

VJOSA OSMANI, PRESIDENTE E KOSOVËS

Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali në reagimin e saj ka dënuar incidentin në fjalë. Ajo tha se këto thirje janë të papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.

ELISA SPIROPALI, KRYETARE E KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka deklaruar se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport dhe në asnjë segment të shoqërisë, duke e cilësuar incidentin si një alarm serioz që kërkon reflektim të menjëhershëm.

Reagim për thirjet antishqiptare pati edhe nga unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Ata thonë se pas gati 23 vitesh, klithma të tilla raciste rikthehen si shenja ultranacionaliste antishqiptare, të cilat mund të fitojnë arenë publike, madje duke qenë i pranishëm edhe kryeministri i këtij vendi, i cili siç thonë ata, ekziston falë shqiptarëve.

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË

Thirrjet raciste të dhjetra tifozëve ultranacionalistë maqedonas në prani të Kryeministrit Mickovski dhe heshtja e tij, janë njollë dhe shenjë antieuropiane në Maqedoninë e Veriut. Turp për organizatat e mediave dhe gazetarëve maqedonas që heshtin ndaj akteve të tilla”.

Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit”, deklaruan gazetarët shqiptarë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING