(VIDEO) Rasti i aksidentit në Llaskarcë, dy të dënuarit nuk janë paraqitur ende në burgun e Idrizovës

(VIDEO) Rasti i aksidentit në Llaskarcë, dy të dënuarit nuk janë paraqitur ende në burgun e Idrizovës

Në Maqedoninë e Veriut është bërë praktikë që kur personat që kanë bërë krim zbulohen, jo vetëm që nuk japin llogari, por ata thjeshtë zhduken dhe “për çudi, askush nuk di gjë dhe nuk ka parë gjë”, as se si ata kanë arritur ta kalojnë kufirin.

Kështu ndodhi edhe me Remzi Miftarin, njëri nga të dënuarit me 10 vjet burg në rastin e aksidentit në Llaskarcë, ku për pasojë vdiqën 16 udhëtarë. Ai është i pakapshëm për organet e rendit dhe MPB ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtarë. Fotografia e Miftarit tashmë qëndron në faqen e MPB-së tek personat të cilët kërkohen ndërkombëtarisht, krah funksionarëve Vasko Kovaçevskit, Artan Grubit e Përparim Bajramit.

Dy përgjegjësit kryesor për këtë tragjedi, Durmish Beluli, pronar i “Durmo Tours” dhe Remzi Miftari, përgjegjës për transportin, edhe 6 vjet pas tragjedisë dhe 7 muaj pasi vendimi për denimin e tyre është bërë i plotëfuqishëm, ende nuk kanë vuajtur asnjë ditë burg. Vendimi gjyqësor për vuajtjen e denimit të tyre është bërë i plotëfuqishëm më 9 maj të këtij viti.

Metoda më e zakonshme e personave që duhet të hyjnë në burg dhe e prolongojnë atë, është shfaqja e problemeve shëndetësore. Miftari dhe Beluli nuk kanë shkuar në burg sepse në të njejtën kohë ishin operuar adhe atë për të njëjtin problem shëndetësor.

Pas disa prolongimeve për të shkuar në burgun e Idrizovës me arsyetime se është i sëmurë dhe se duhet të kryej intervenim kirurgjik, ai nuk ka shkuar në burg, as pas operimit. Më 18 nëntor, gjykatësi i procedurës nga Gjykata e Gostivarit ka kërkuar arrestimin e tij me forcë, por si duket tashmë ishte vonë sepse policia nuk arriti ta gjej atë.

Me 10 vjet burg i dënuar është edhe pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, i cili po ashtu i operuar, ende nuk e ka nisur vuajtjen e denimit. Por, pas disa prolongimeve, ai në burgun e Idrizovës duhet të paraqitet më 1 dhjetor, ditën e hënë.

Më 9 maj 2025, Gjykata e Apelit solli vendim për dyfishim të denimeve për dy të akuzuarit kryesor për këtë rast edhe atë Belulit nga 4 vite ja rriti dënimin në 10 vjet burg, kurse Miftarit nga 6 në 10 vjet burg.

Seanca gjyqësore për këtë rast nisi në shtator të vitit 2019. Më 25 janar 2024, për veprën penale “Kryerje e krimeve të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”, që rezultoi në aksident të rëndë trafiku pranë fshatit Laskarcë, u shqiptuan këto denime: 14 vite burg për shoferin e autobusit, Manoil Trifunovskin, Durmish Beluli, pronari i “Durmo Turs” mori dënimin më të butë nga të gjithë, 4 vjet burg, Remzi Miftari, mori gjashtë vjet, dhe punonjësit e qendrës teknike të kompanisë Igor Gjorgievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, morën nga 5 vjet burg secili.

Aksidenti fatal në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, në të cilin humbën jetën 16 udhëtarë, kurse 35 prej tyre morën lëndime të rënda. Autobusi i “Durmo Turs” i cili qarkullonte në relacion Shkup-Gostivar, rreth orës 17:00 në autostradën Tetovë-Shkup afër fshatit Llaskarcë, e humbi kontrollin dhe ra në humnerë, pasi theu gardhin mbrojtës në autostradë.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING