(VIDEO) Radhë të gjata për pasaporta dhe letërnjoftime, qytetarët presin me muaj

(VIDEO) Radhë të gjata për pasaporta dhe letërnjoftime, qytetarët presin me muaj

Zëvendësimi i dokumenteve personale me dokumente me emrin e ri të shtetit, ka shkaktuar rrëmujë në hapësirat e ministrisë së punëve të brendshme. Turma njerëzish të cilët presin rradhë për tu fotografuar shihen para korridoreve të këtij objekti. Qytetarët për TV SHENJA thanë se koha e gjatë e cila duhet të presin për tu fotografuar ua vështirëson edhe më shumë këtë proces. Ata madje shtojnë se janë të pakënaqur sepse në linja telefonike nuk arrijnë të marin përgjigje nga askush ndërkaq në mënyrë elektronike marrin alternativa për termine vetëm pas dy muajsh pritje. Disa prej tyre thonë se edhe pas dy muajsh pritje nga dorëzimi akoma nuk i kanë marë dokumentet e tyre.

QYTETAR

“Në mënyrë elektronike, terminin e paguan në procedurë më të shpejtë po termini del pas dy javëve, I kemi pagesat të gjitha I kemi bë, po s’ka asgjë, sistemi nuk punon”.

QYTETAR

“Ja tani t’ju tregoj, ka 2 muaj që unë i kam dorëzuar letërnjoftimin dhe patentë shoferin, letërnjoftimin dje e mora  dhe tash po pres ta marr patentë shoferin  se ku ka ngecur nuk kam ide. Më 22 maj jam fotografuar për të njejtat”.

QYTETAR

“Unë t’ju tregoj drejtë vetëm pasaportën duhet ta ndërroj, dokumentet tjera i kam të ndërruara më herët, akoma nuk kam aplikuar, rrëmujë ka çdo herë në sezonë veror sepse vijnë edhe mërgimtarët që jetojnë jashtë vendit, deri në shkurt kemi kohë t’i ndërojmë”.

Nga ana tjetër zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski për TV SHENJA dekalroi se si MPB  punojnë vazhdimisht edhe në ditët festive dhe të vikendit në mënyrë që t’i shërbejnë qytetarëve në kohë. Angellovski theksoi se në periudhën verore ka shumë ngarkesë sepse kërkesat për dokumete janë të shumta prandaj edhe mund të ndodhin këto problematika për pritje pak më të gjatë për termine, por siç tha ai deri në muajin shkurt vlejnë dokumentet e tanishme prandaj qytetarët nuk duhet të shkaktojnë panik.

TONI ANGELLOVSKI, PËRFAQËSUES I MPB-SË

“Faktikisht ndërrimi i dokumenteve duhet të bëhet deri në muajin shkurt të vitit dhe ardhshëm….Ajo që është e rëndësishme është se duhet të merret letërnjoftimi I ri sepse është i  nevojshëm në përditshmëri ndërkaq pasaportën e ndërrojnë fillimisht ato që e kanë të patjetërsueshme. Me ardhjen e sezonës verore kemi edhe frekuencë më të madhe kryesisht rriten kërkesat për dokumente, kjo ndodh çdo vit sepse ne edhe pse kemi bë fushatë tërë vitin që t’i ndërrojnë dokumentet, qytetarët fatkeqësisht e presin verën që të aplikojnë për ato dokumente”.

Ndryshe rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duhet të ndërrohen deri në muajin shkurt të vitit 2024. Të gjitha dokumentet personale si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë – qytetarët duhet t’i ndërrojnë deri në 13 shkurt të vitit 2024, përfshirë këtu dhe ata të cilët kanë afat. Këto janë dokumente me emrin e ri kushtetues të shtetit, ku krahas Maqedonia, shtohet pjesa “e Veriut”.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik 2018, midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që i dha fund mospajtimeve të kahmotshme mes dy shteteve.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

MARKETING