(VIDEO) Qytetarët e Maqedonisë pesimistë, vetëm një e pesta presin që 2024-ta të jetë më i mirë
Maqedonia e Veriut është nën mesataren botërore në perceptimet se si do të jetë viti i ardhshëm 2024. Sipas një sondazhi global, të realizuar në vendin tonë nga agjencia “Brima”, 20 % e të anketuarve në vend mendojnë se viti 2024 do të jetë më i mirë se viti 2023, ndërsa mesatarja botërore është 39%, 34 % mendojnë se do të jetë më keq , ndërsa mesatarja botërore është 26% dhe 40 % mendojnë se do të jetë e njëjtë me vitin 2023, ndërsa mesatarja botërore është 28% .
Në rajon, Kosova (68%) dhe Shqipëria (57%) janë me shkallën më të lartë të përgjigjeve pozitive të të anketuarve, pra ata që besojnë se viti 2024 do të jetë më i mirë se viti 2023. Ashtu si qytetarët e vendit tonë edhe qytetarët e Serbisë (19%), si dhe qytetarët e Bullgarisë (18%) ,e të anketuarve tregojnë shkallë të lartë të pesimizmit për vitin 2024.
Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut edhe në pyetjen nëse viti i ardhshëm do të jetë vit i prosperitetit ekonomik, vështirësive ekonomike apo do të mbetet i njëjtë 42 % mendojnë se viti 2024 do të jetë një vit i vështirësive ekonomike.
Shumica e qytetarëve në mbarë botën presin një vit të ri të trazuar, jo paqësor. Tetë nga dhjetë qytetarë në të gjitha kontinentet kanë frikë nga një luftë e mundshme bërthamore, të cilët e vlerësojnë rrezikun si “të moderuar” ose “të lartë”. Shumica e qytetarëve presin edhe vështirësi ekonomike në vitin e ri 2024, në vend të prosperitetit ekonomik.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/