(VIDEO) Qindra fëmijë lypin rrugëve, shteti kujdeset vetëm për disa prej tyre
Qindra fëmijë po enden dhe po lypin në rrugët e kryeqytetit dhe në brendësinë e Maqedonisë së Veriut. Qendra e kujdesit ditor që synojnë frenimin e lypjes janë të mbipopulluara, por një numër edhe më i madh fëmijësh vazhdojnë të abuzohen nga të moshuarit, duke lypur, duke larë makina si dhe duke shitur xhingla- mingla nëpër rrugë. Sa i përket numrit të saktë të fëmijëve të rrugës nuk mund të përcaktohet pasi institucionet kompetente kanë të dhëna të ndryshme. Ndërkaq në nivel shtetëror, egzistojnë tre qendra ditore për fëmijët e rrugës, një në Kisella Vodë dhe dy në Shuto Orizare.
VASKA BAJRAMOVSKA MUSTAFA, ZYRA E AVUKATIT TË POPULLIT
“Sipas rregullave numri është i kufizuar në 24 fëmijë, që do të thotë se mesatarisht numri maksimal nuk është më shumë se 70-80 fëmijë të cilët kujdesen, por ky numër nuk është real”.
Vaska Bajramovska Mustafa, nga Zyra e Avukatit të Popullit thotë se numri i fëmijëve që shohim çdo ditë në rrugë, sidomos pasdite, tregon se situata është shumë më e rëndë. Prandaj, ajo thotë se është e nevojshme të bëhet një monitorim sistematik i numrit, sepse të dhënat që kanë qendrat për punë sociale, organizatat e shoqërisë civile dhe Instituti për Veprimtari Sociale, i cili është edhe mbikqyrës në këtë fenomen negativ, janë të ndryshme.
Sipas të dhënave të MPB-së nga viti i kaluar, mbi 160 fëmijë enden dhe lypin rrugëve të Maqedonisë së Veriut. Vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 90 raste të reja, ndërsa institucionet kompetente kanë punuar me 78 raste të tjera të evidentuara më herët. Prej tyre, 60 fëmijë u kujdesën në një qendër ditore dhe katër fëmijë u vendosën në një shtëpi të vogël grupore. Gjithashtu edhe 22 prindër u qortuan për neglizhimin e fëmijëve që janë lënë në mëshirë të fatit, mirëpo shfrytëzimi i më të pambrojturve ende vazhdon.
Hulumtimi i Shoqatës “Ndërtojmë të Ardhmen” i realizuar në vitin 2022, tregoi se katër mijë fëmijë në vend janë nën qiell të hapur, 18.700 nuk janë në bankat e shkollës dhe 1.500 fëmijë nga popullata rome nuk janë të regjistruar me numra identiteti. /SHENJA/