(VIDEO) Qeveria paralajmëroi masa vjetore për kufizimin e çmimeve

Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar tregtarët që të mos manipulojnë me çmimet sepse siç thotë ai, do të ketë masa dhe kufizime vjetore dhe jo siç kanë qenë deri më tani javore apo mujore. Ai i ka porositur tregtarët që të jenë të kujdesshëm sespe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është duke u ndjekur.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ne po e monitorojmë këtë si proces dhe mesazhi im për tregtarët është të mos përdorin truke sepse kufizimet mund të jenë vjetore, jo javore ose mujore. Ne po e monitorojmë me shumë kujdes sjelljen e disa prej tregjeve përmes Inspektoratit të Tregut dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës”.
Për javë të tëra në opinion është duke u diskutuar për rritje enorme të çmimeve të produkteve ushqimore, për të cilat edhe vetë ministri i ekonomisë në fjalimet e tij vazhdimisht ka paralajmëruar se së shpejti do të merren masa konkrete.
Qytetarët vazhdimisht janë ankuar për çmime shumë të larta, ndërkaq nga ana tjetër akoma po priten masat e qeverisë, për të cilat edhe kryeministri Mickoski u zotua se do tu dilet në ndihmë qytetarëve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/