(VIDEO) Qëndrimi në Zonën e Shengenit, transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë
Zbatimi i sistemit EES, regjistrimi elektronik dhe kufizimi i ditëve të qëndrimit për transportuesit nga shtetet e Bashkimit Evropian ka rritur pakënaqësitë e transportuesve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
MEVLUDIN IMERI – GAZETAR
“Rreth 370 kamion kanë bllokuar daljet në terminalet doganore në të gjithë vendin, kjo për shkak të një vendimi ose rregulli të vendosur nga BE-ja. Në mbështetje të transportuesve vendorë ka dalë edhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve. Ndërkaq, hyrjet për në RMV do të bllokohen sonte në ora 24:00”.
Transportuesit kërkojnë nga shtetet e zonës shengen që të mos i diskriminojnë dhe t’i trajtojnë si shoferë profesionistë ashtu siç trajtohen pilotët po edhe shoferët e tjerë të mjeteve të transportit, e jo si turistë.
Sipas Biljana Muratovskës nga asociacioni “Makam Trans” protestës i janë bashkangjitur edhe transportues nga Turqia, të cilët do të qëndrojnë në terminalet doganore të bllokuara dhe nuk do të kërkojnë rrugë alternative për qarkullim. Sipas njoftimit, protestat paralajmëruese do të zgjasin shtatë ditë.
BILJANA MURATOVSKA, SEKRETARE “MAKAM TRANS”
“Transportuesit turq gjithashtu na janë bashkëngjitur të cilët nuk do të kërkojnë rrugë alternative për të hyrë ose dalë nga vendi por do të qëndrojnë në pikat kufitare dhe do të presin deri atëherë kur ne të përfundojmë. Protestojmë se me 10 prill do të fillojë matja elektronike e kohës për qëndrim në zonën shengen dhe ajo është 90 ditë në 180 ditë ose thënë ndryshe lejohemi 3 muaj nga gjashtë”.
Nga ana tjetër, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se është në krah të transportuesve. Ai ofroi edhe tre zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit.
Mevludin Imeri /SHENJA/

