(VIDEO) Protesta masive në Novi Sad, mijëra njerëz mblidhen në 1 vjetorin e tragjedisë

(VIDEO) Protesta masive në Novi Sad, mijëra njerëz mblidhen në 1 vjetorin e tragjedisë

Qindra mijëra njerëz kanë mbushur të shtunën rrugët e Novi Sadit, ku po mbahet tubim përkujtimor masiv me rastin e njëvjetorit të shembjes së një pjese të stacionit të trenit, ku humbën jetën 16 persona.

Qytetarë nga e gjithë Serbia kanë ardhur në Novi Sad për të nderuar viktimat e kësaj tragjedie. Shumë prej tyre kishin mbërritur që mbrëmë në qytet – disa në këmbë, e disa me biçikleta. Më të vendosurit ishin qytetarët e Novi Pazarit, të cilët kishin ecur për 16 ditë rresht për të arritur në këtë ngjarje.

Të pranishmit u mblodhën sot në orën 10:00 në 16 pika të ndryshme të qytetit, duke marshuar drejt stacionit të trenit, ku tubimi nisi në orën 11:52 – në të njëjtën kohë kur një vit më parë ndodhi shembja tragjike. Ky konsiderohet si tubimi përkujtimor më i madh në historinë e Serbisë.

Kjo ngjarje vitin e kaluar shkaktoi valë të madhe protestash në qytete të ndryshme të Serbisë kundër pushtetit, të cilin qytetarët e mbanin përgjegjës për tragjedinë. Gjatë protestave u raportua edhe për raste të shumta të dhunës policore, që nxitën edhe më shumë zemërimin publik.

Nga protestat në rrugë dhe bllokadat e universiteteve, studentet janë zhvendosur drejt politikës tradicionale – dhe po kërkojnë zgjedhje të reja. Presidenti Aleksandar Vuçiç deri më tani e ka hedhur poshtë këtë, por lë të kuptohet se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm. /SHENJA/

 

MARKETING