(VIDEO) Protesta e puntorëve përplas VMRO-në dhe LSDM-në
Protesta e sotme e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka nxitur përplasje të forta politike mes partive kryesore në vend. Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se protesta është e organizuar nga LSDM, ndërsa nga LSDM thonë se bëhet fjalë për një protestë legjitime të punëtorëve për paga më të larta dhe jetë më dinjitoze.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, deklaroi se pas organizimit të protestës qëndrojnë persona të lidhur me LSDM, të cilët sipas tij kanë mobilizuar punëtorë nga disa qytete të vendit për të marrë pjesë në protestë në Shkup.
BRANE PETRUSHEVSKI, VMRO-DPMNE
“Pas protestave të sotme publiku pa qartë se në vend të Lidhjes së Sindikatave qëndron LSDM. Njerëz të tyre kanë organizuar punëtorë nga disa qytete që të vijnë sot në Shkup. Ky nuk është aktivitet sindikal, por mashtrim politik”.
Ndërkaq, nga LSDM theksojnë se protesta është e drejtë e punëtorëve dhe se kërkesat për paga më të larta janë legjitime. Sipas tyre, punëtorët po kërkojnë një pagë minimale prej 600 eurosh dhe kushte më të mira jetese.
SIMONA CVETANOVSKA, LSDM
“Protesta e punëtorëve nuk është politikë, por luftë për dinjitet, për pagë të drejtë dhe për një jetë më të mirë për çdo familje. Punëtorët kanë të drejtë ta ngrenë zërin dhe të kërkojnë atë që u takon”.
Nga LSDM shtojnë se gjatë kohës kur ishin në pushtet pagat janë rritur ndjeshëm, ndërsa tani kërkojnë që qeveria të pranojë propozimin për pagë minimale prej 600 eurosh.
Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vazhdon të kërkojë rritje të pagave dhe përmirësim të standardit të jetesës për punëtorët në vend. /SHENJA/

