(VIDEO) Propozim-nisma për ndryshimet kushtetuese arriti në Qeveri

(VIDEO) Propozim-nisma për ndryshimet kushtetuese arriti në Qeveri

Ministria e Drejtësisë e dorëzoi në Qeveri propozim-iniciativën për ndryshimet kushtetuese, me të cilën bullgarët dhe popujt e tjerë do të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës, ndërsa qeveria pritet që në mbledhjen e parë ta shqyrtojë dhe ta miratojë. Sipas të gjitha gjasave kjo mund të ndodh në fillim të javës së ardhshme në mbledhjen e rregullt që mban Qeveria .

Pas shqyrtimit dhe miratimit nga ana e qeverisë propozim-iniciativa do t’i kalojë Kuvendit.

Nga momenti i arritjes së iniciativës për ndryshime kushtetuese në Kuvend duhen 30 ditë që ajo të shqyrtohet, pas së cilës do të mbahet seanca plenare në të cilën duhet të votohet  nevoja për ndryshimin e Kushtetutës.  Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të martën në takim me gazetarët njoftoi se procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese mund të zgjasë së paku katër muaj e gjysmë, e më së shumti deri në gjashtë muaj. Për të miratuar ndryshimet  kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve apo duhet të votojnë 80 deputetë. Jo zyrtarisht, procedura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese duhet të fillojë në mesin e qershorit.

Më 26 maj, grupi punues për ndryshime kushtetuese miratoi Propozim-iniciativën për ndryshimet kushtetuese, sipas së cilës përveç popullit bullgar, në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut,  përfshihen edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të shtunën se Qeveria me vëmendje të madhe do ta përcjell Propozim-iniciativën për ndryshime kushtetuese, sepse siç tha ai, ky është procesi më i rëndësishëm për momentin në vend. Ndërkaq nga opozita deri më tani vazhdimisht ka deklaruar se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Medina Ajeti /SHENJA/

MARKETING