(VIDEO) Propozim ligji për lojërat e fatit, partitë shqiptare përplasen për bixhozin

Ligji i miratuar në Qeveri i cili parasheh 500 metra distancë të bastoreve dhe kazionve nga shkollat fillore, të mesme dhe çerdhet është goditje direkte për të prishur imperinë e atyre që promovojnë fat, kurse sjellin fatkeqësi, tha zëvendës kryeministri Izet Mexhiti. Bixhozin Mexhiti e krahasoi me kancerin dhe tha se të njëjtën e ka zhvilluar në masë të madhe, përbërja e kaluar qeveritare. Duke folur për këtë, Mexhiti tha se për dallim nga përbërja e kaluar, kjo përbërje qeveritare luftën kundër bixhozit e ka marrë me shumë seriozitet dhe se të njëjtën do ta çojë deri në fund.
IZET MEXHITI – ZV. KRYEMINISTËR I PARË
Me projekt ligjin e miratuar dje në Qeveri në start do ulet prezenca e kësaj katastrofe kolektive për të paktën 70%. Po e theksoj, ky është vetëm fillimi. Pra, nga mbi 7 mijë aparate VLT me goditjen e parë do të eleminohen 4 mijë sosh. Po ndalojmë reklamimin e bixhozit. Kazino më nuk do të ketë nëpër vendbanime, qytete e fshatra siç është gjendja aktualisht.
Por, sipas Bashkimi Demokratik për Integrim akuzuan se VLEN flet sikur po lufton bixhozin, por vepron sikur janë zëdhënësit e tij, duke shtuar VLEN-i premtoi mbylljen e kazinove e sot, falë tyre, kazinotë i kemi më afër se kurrë.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kjo është ironia e zezë e një fushate të ndërtuar mbi gënjeshtra, ku premtimi ishte mbyllja, ndërsa rezultati është lulëzimi i industrisë së bixhozit. Kur industria e lojërave të fatit protestonte përballë Kuvendit, VLEN-i nuk ishte në anën e qytetarëve, ishte në anën e kazinove. Kur u propozua një ligj serioz, që do t’i mbyllte dhe dislokonte bastoret, ata ishin kundër. Kur VMRO hodhi “ashte” në formë postesh dhe privilegjesh, VLEN-i u përfshi i entuziazmuar”.
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka kritikuar këtë propozim ligj, duke thënë se me këtë ligj, nuk ndalohen as bastet pranë shkollave sepse sipas tyre, FLEN siç ata e quajnë koalicionin shqiptar flasin pa e lexuar ligjin. Nga ASH-ja kanë cituar edhe disa nene nga ligji në fjalë.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT – ARBEN TARAVARI
1. Lejon funksionimin e kazinove, klubeve të automatëve dhe lojërave elektronike të fatit në hapësira të posaçme, duke kërkuar vetëm kushte tekniko-teknologjike që i përcakton ministri i financave (paragrafi 1). 2. Vendos një distancë minimale prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme, por kjo vlen vetëm për kazinot dhe automatet (paragrafi 2). 3. Bëhet përjashtim për bastoret: pikërisht në paragrafin 3, thuhet qartë se “kjo distancë nuk vlen për pikat e pagesës për bastore”. Pra, bastoret mund të qëndrojnë pranë shkollave!
Kur jemi tek ligji për mbyllje ose dislokim të bastoreve dhe kazinove 500 metra larg objekteve shkollore mund të përmendim se tentime të ngjashme ka pasur edhe nga subjektet e Qeverive të kaluara. Propozim aso kishte ASH-ja po edhe BDI-ja. Po të njëjtat u bllokuan në Komisionet amë të Kuvendit.
Mevludin Imeri /SHENJA/