(VIDEO) Propozim i KE-së – Viza-D, zgjidhje e përkohshme për transportuesit privat

(VIDEO) Propozim i KE-së – Viza-D, zgjidhje e përkohshme për transportuesit privat

Propozimi i Komisionit Evropian që shoferët profesionistë të RMV-së të pajisen me viza D për qëndrime më të gjata në zonën Shengen ka ngritur dilema serioze në sektorin e transportit. Zgjidhja shihet si e përkohshme deri në miratimin e Strategjisë së re të Vizave të BE-së, proces që mund të zgjasë 1–2 vjet.

Në takimin e dytë të grupit të punës në Bruksel, në të cilin morën pjesë përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u tregua qartë se një zgjidhje e plotë sistemike përmes strategjisë së re të vizave kërkon pëlqimin e të gjitha 29 vendeve të Shengenit, gjë që e bën procedurën të ndërlikuar dhe afatgjatë.

Si alternativë më e shpejtë po propozohet qasja dypalëshe përmes negociatave me shtete individuale për lëshimin e vizave kombëtare D. Ideja u iniciua nga përfaqësuesi kroat, duke u bazuar në ndryshimet ligjore që po përgatiten në Kroaci dhe që mund të zbatohen edhe në vende të tjera. Ndërkohë, gjatë vizitës në Shkup të Komisionerit për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, u paralajmërua intensifikim i bisedimeve me disa shtete anëtare, përfshirë Greqinë, Bullgarinë, Hungarinë, Slloveninë, Rumaninë, Gjermaninë dhe Austrinë, ndërsa Zvicra tashmë është përfshirë. Synimi është që në vendet që lëshojnë viza D të mos numërohen ditët e qëndrimit të shoferëve, ndërsa kufizimet të mbeten vetëm aty ku nuk ka marrëveshje. Sipas shoqatave të transportit, kjo është zgjidhja e vetme afatshkurtër për problemin e qëndrimit në Shengen, sidomos pas kontrolleve të shtuara nga disa shtete anëtare.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING