(VIDEO) Propozim-Buxheti për vitin e ardhshëm 374.7 miliardë denarë
Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet ka filluar sot debatin për propozim buxhetin për vitin 2026. Të ardhurat totale në Propozim-Buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374.7 miliardë denarë, shpenzimet në 413.9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40.5 miliardë denarë, ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3.8 për qind, inflacioni në 2.5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 3.5 për qind të BPV-së. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska duke elaboruar propozimin para komisionit, tha se, buxheti synon rritje ekonomike, përmirësim të standardit të jetesës dhe nxitje të investimeve vendore dhe të huaja.
Gordana Dimitrieska Koçoska, ministres e Financave
“Sipas Propozimit të Buxhetit, në vitin 2026 ekonomia pritet të përshpejtohet me rritje reale të PBB-së prej 3.8%, e udhëhequr nga kërkesa e brendshme. Nxitësit kryesor do të jenë investimet bruto, si rezultat i zbatimit më intensiv të projekteve infrastrukturore, si dhe investimet në energji, hekurudha, bujqësi, arsim dhe mbrojtje shëndetësore. Konsumi privat projektohet të rritet për 2.6%, konsumi publik do të mbetet i moderuar, me rritje prej 1.4% në drejtim të disiplinës fiskale, ndërsa inflacioni do të stabilizohet në rreth 2.5%, në kushte çmimesh të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare”.
Ajo më tej ka shtuar se, trendet pozitive do të reflektohen edhe në tregun e punës, ku pritet rritje e punësimit dhe rritje e pagës mesatare neto për 6.5%, si rezultat i hapjes së kapaciteteve të reja të prodhimit, zgjerimit të atyre ekzistuese, si dhe masave dhe programeve aktive të punësimit të zbatuara nga Qeveria.
Gordana Dimitrieska Koçoska, ministres e Financave
“Për masa dhe politika aktive të punësimit, të cilat përfshijnë krijimin e programeve për vende të reja pune, mbështetje për të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës minimale të garantuara, janë parashikuar 2.6 miliardë denarë. Investimet kapitale, në vlerë prej 40.2 miliardë denarësh, përfshijnë projektet kyçe të transportit, energjitikës, arsimit dhe infrastukturës shëndetësore. Fokusi i Qeverisë është të sigurojë ritëm të përshpejtuar të zbatimit, me qëllim modernizimin e vendit dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe ekonominë”.
Lidhur me huamarrjen, ministrja theksoi se në vitin 2026 pritet shlyerje në kohë dhe e plotë e detyrimeve me vlerë prej 74.8 miliardë denarëve, ndërsa politika e ministrisë mbetet menaxhimi i qëndrueshëm i borxhit publik dhe sigurimi i likuiditetit të mjaftueshëm gjatë gjithë vitit. Për financimin e deficitit është planifikuar huazim në tregjet e brendshme dhe të jashtme.

