(VIDEO) Prokuroria vitin e kaluar evidentoi 4 raste të keqpërdorimit të fëmijëve në rrugë

(VIDEO) Prokuroria vitin e kaluar evidentoi 4 raste të keqpërdorimit të fëmijëve në rrugë

Kërkimi i lëmoshës si dukuri në legjislacionin e Maqedonisë së Veriut trajtohet si shkelje ligji dhe nuk paraqet vepër penale edhe pse fëmijët e rrugës si kategori jashtëzakonisht e cënueshme, shpeshherë janë objekt i trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim të kërkim-lëmoshës. Kështu, janë përgjigjur nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për TV SHENJA, lidhur me fëmijët romë të cilët enden rrugëve të qytetit duke kërkuar lëmoshë.  Ata njoftojnë se në  Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si kompetente për ndjekjen e autorëve të veprës penale të Trafikimit të Fëmijëve nga neni 418, nuk ka të dhëna për rastet kur trafikimi i fëmijëve ka qenë për qëllim të kërkimit të lëmoshës. Sipas tyre në Kodin Penal, përveç veprës së lartpërmendur, neni 201 penalizon edhe veprën – Moskujdesja dhe keqtrajtimi i fëmijës, për të cilën janë përgjegjës prokuroritë publike themelore.

PROKURORIA PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

“Në paragrafin 2 të kësaj vepre penale, parashikohet se prindi, prindi adoptues apo kujdestari e detyron fëmijën në punë që nuk i përgjigjet moshës dhe fuqisë fizike ose për interes vetjak e shtyn atë në kërkim lëmoshe ose në kryerjen e veprimeve të tjera që janë të dëmshme për zhvillimin e tij do të dënohen me burgim nga 1 deri në 10 vjet”.

Nga prokuroria thonë se në paragrafin 3 të të njëjtit nen, është përcaktuar se nëse për shkak të veprave nga paragrafët  1 dhe 2  fëmijës i ka ndodhur lëndim i rëndë trupor ose shqetësim i rëndë i shëndetit të fëmijës ose është detyruar për kërkim lëmoshe, prostitucion apo forma të tjera, kryrësi I veprës do të dënohet me së paku me 5 vite burg. Nga prokuroria sqarojnë se vitin e kaluar kanë evidentuar 4 raste të keqpërdorimit të fëmijëve.

PROKURORIA PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

 “Gjatë vitit 2022 në kuadër të veprimeve të prokurorëve themelorë publikë janë evidentuar gjithsej katër fëmijë viktima të veprës penale nga neni 201 paragrafi 3 të Kodit Penal, ndërsa tri raste janë para-hetuar dhe janë refuzuar.

Nga ministria e punës dhe politikës sociale javë më parë të pyetur lidhur me këtë temë deklaruan se kërkimi I lëmoshës nga fëmijët të cilët kryesisht janë romë, është një fenomen që është aktiv për një kohë të gjatë në vendin tone dhe kërkon bashkëpunim shumë të koordinuar në mes shumë anëtarëve të shoqërisë që të mund të gjendet një zgjidhje. Ata potencuan  rrënja e kësaj problematike është shumë e thellë, para se gjithash është varfëria që kanë familjet e tyre  e më pas është keqpërdorimi I këtyre fëmijëve nga ana e prindërve apo familjarëve të tyre.

Nga prokuroria për ndjekjen e krimit theksojnë se çdo qytetar, autoritet dhe person juridik është i detyruar të njoftojë Qendrën për Punë Sociale sapo të mësojë se prindi nuk e ushtron të drejtën prindërore.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING