(VIDEO) Prokuroria kërkon paraburgim për drejtorin e Higjienës Komunale
Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar paraburgim për Sabahudin Rustemin, ushtrues detyre drejtor në Higjienën Komunale dhe Aki Saitin – përgjegjës i sektorit brenda ndërmarrjes për shkak të rrezikut për ndikim mbi dëshmitarët dhe mundësisë së përsëritjes së veprës “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim të Mbeturinave dhe veprimtarinë e tyre bazë për mbledhjen dhe transportin e rregullt të mbeturinave në territorin e Qytetit të Shkupit.
PROKURORIA THEMELORE
“Duke mos ushtruar mbikëqyrje të plotë mbi procesin e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave komunale, si dhe përmes menaxhimit të parregullt të mbeturinave, ata kanë mundësuar që të krijohen deponi të vogla në hapësira publike dhe rrugë, pranë kontejnerëve të përcaktuar për mbledhjen e mbeturinave komunale. Si rezultat, është shkaktuar dëmtim i konsiderueshëm i cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve për shkak të mundësisë së përhapjes së sëmundjeve infektive apo të tjera”
Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
GOCE ANDREEVSKI – ZËDHËNËS I MPB
“Dyshimet e tilla janë konstatuar dhe vërtetuar pas kontrolleve të jashtëzakonshme të inspektorëve lokal për mjedisin jetësor, të cilët dolën në terren me udhëzime të Prokurorisë Themelore. Kontrollet u kryen gjithashtu në bazë të mendimit të ekspertëve mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe mundësinë për shpërndarje të sëmundjeve ngjitëse, të dhënë nga Instituti dhe Shtëpia e Shëndet Publik”
Rustemi është arrestuar nga policia që nga dita e djeshme dhe i njëjti është mbajtur në bisedë zyrtare. Mbi të rëndon akuza për mos veprim dhe mos mbledhje të mbeturinave në bazë të planit operativ. Se nuk vepron dhe nuk mbledh mbeturinat siç duhet, Rrustemin në të shumtën e rasteve e kanë akuzuar edhe krerët e komunave që vijnë nga partitë oponente të AKI-së, koalicion të cilit Rustemi i takon.
Mevludin Imeri /SHENJA/

