(VIDEO) Prokuroria kërkoi paraburgim për katër prej 19 të dyshuarve të rinj

Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar parburgim për katër prej 19 të dyshuarve të rinj për zjarrin në diskotekën e Koçanit, për shtatë prej tyre është kërkuar paraburgim shtëpiak dhe ndalesë komunikimi, për shtatë të tjerë kërkohet masa e kujdesit, ndërsa një i dyshuar ishte jashtë shtetit në momentin e hapjes së hetimit. Të gjithë, ashtu si edhe ata të mëparshmit ndaj të cilëve ishte hapur hetim, janë të dyshuar për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme. Përkrah tre kryetarëve të Komunës së Koçanit, të dyshuar janë edhe tre punëtorë të autorizuar ndërtimor, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me kompetencat e tyre dhe nuk kanë kryer asnjë kontroll inspektuese të objektit.
Lupço Kocevski, Kryeprokuror
“Në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përpos drejtorit të dyshuar paraprakisht, është hapur hetim edhe kundër tre personave në funksionin e njëjtë, përfshirë edhe drejtorin aktual, si dhe kundër inspektorit gjeneral aktual të drejtorisë i cili ka qenë në atë funksion gjatë gjithë periudhës së funksionimit të klubit. Ka dyshime se, ato kanë vepruar në kundërshtim me kompetencat e tyre të parapara me ligj dhe kanë neglizhuar plotësisht ingerencat e tyre, jo vetëm për këtë klub, por edhe për objektet e tjera hotelierike në shtet. Ndër vite, nuk kanë zbatuar masa të ndjekjes she mbikëqyrjes inspektuese të diskotekave dhe kabareve, jo vetë në diskotekën e parregullt në Koçan, por edhe në të gjitha objektet hotelierike në Maqedoni. Me këtë kanë rrënuar sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe i kanë ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të zjarrit në objektet e pa inspektuara”.
Kryeprokurori shtetëror Kocevski theksoi se ndër të dyshuarit e rinj janë tre persona që në një moment të caktuar kanë ushtruar funksionin e ministrit të ekonomisë, dy sekretarë shtetërorë dhe tre zyrtarë përgjegjës për sektorin e gastronomisë dhe turizmit, të cilët kanë punuar në Ministrinë e Ekonomisë. Ai tha se, personat në fjalë, kanë mundësuar që diskoteka të marrë licenca dhe të vazhdojë në mënyrë të paligjshme të ushtrojë veprimtari gastronomike gjatë gjithë periudhës nga hapja e objektit deri te zjarri. Ndërkaq, shtoi se, ministri aktual i ekonomisë nuk është i përfshirë pasi pronari nuk ka iniciuar procedurë për licencë të re.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski deklaroi se, nuk do të lejojnë që rasti të politizohet dhe për cilindo që konstatohet se ka ndonjë lidhje me shkaqet që nxitën tragjedinë, do të ndërmerren veprime përkatëse nga ana e organeve të rendit.
Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm
“Ka përfunduar koha kur fajtor ishin kablloja dhe merimanga. Nuk duhet të lejohet që, hetimi të ndikohet nga përplasjet politike nga individë keqdashës, të cilët duke dashur të fitojnë disa pikë politike mbi zemërimin e qytetarëve maqedonas, mund ta zhvendosin rrjedhën e ngjarjeve në drejtim të padëshiruar nga perspektiva e kryerjes së një hetimi ligjor, të plotë dhe profesional nga organet e rendit”.
Kujtojmë se, tragjedia në diskotekën “Pulse” në Koçan ndodhi më 16 mars, ndërsa në të humbën jetën 61 persona, prej të cilëve 6 fëmijë. Pas hetimeve të prokurorisë në vendin e ngjarjes, ishte konstatuar se diskoteka nuk përmbushte standardet ligjore për të funksionuar si objekt hotelierik si dhe ishin bërë shkelje të shumta ligjore.
Teuta Buçi /SHENJA/