(VIDEO) Projektligjet për korridoret shkojnë në kuvend me flamur evropian

(VIDEO) Projektligjet për korridoret shkojnë në kuvend me flamur evropian

Qeveria në seancën e sotme miratoi pesë projektligje të reja për korridoret 8 dhe 10d, të cilat do të kalojnë në Kuvend me flamur europian. Siç ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, qëllimi i zgjidhjeve të reja ligjore është ndërtimi më i shpejtë dhe më i lirë i korridoreve. Ai i bëri thirrje opozitës që të ndalojë bllokimin e zgjidhjeve ligjore sepse, siç tha ai, me këtë po mbahen peng 150 milionë euro të qytetarëve dhe po rrezikohen projektet strategjike kombëtare për shkak të agjendës ditore politike.

ARTAN GRUBI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR I PARË

“Duke qenë se BE-ja e ka vendosur korridorin në hartën e saj të autostradës dhe ka një debat publik në Kuvend dhe në media, vendosëm që ligjet të propozohen me flamur evropian. Kërkojmë nga deputetët që të mos rritet çmimi i këtij projekti me 150 milionë euro. Nga ata varet nëse do të ndërtohet më shpejt dhe më lirë apo më ngadalë dhe më shtrenjtë”.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski tha se një gjë është e qartë, ose do të jemi një udhëkryq dhe një rrugë kryesore evropiane në Ballkan, ose vendi do të mbetet një bllokim sepse të gjitha vendet e tjera po punojnë me shpejtësi dhe po modernizojnë infrastrukturën e tyre rrugore. Ai kujtoi se vetëm pak muaj më parë, pas dekadash lobimi, qeveria, së bashku me qeveritë e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Italisë, arritën të fusin Korridorin 8 në hartën e korridoreve kryesore evropiane në Ballkanin Perëndimor.

BLLAGOJ BOÇVARSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE,

“Por kjo nuk do të thotë se ne e kemi përfunduar detyrën këtu, por përkundrazi, çdo qeveri e përgjegjshme duhet të fillojë veprimet në të njëjtin moment dhe të tregojë rezultate përmes ndërtimit të seksioneve të reja moderne të korridoreve tona panevropiane”.

Grubi sqaroi se gjatë skanimit të sistemit tonë u pa një mundësi që autostradat të realizohen më shpejt dhe më lirë dhe institucionet tona të jenë më efikase. “Në vend që të kushtojë 1.5 miliardë euro, me legjislacionin aktual ka mundësi që të kushtojë 1.3 miliardë euro. Këto ligje i kërkojmë ne si institucione, jo “Bechtel dhe Enka”, tha Grubi.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING