(VIDEO) Debat në SHENJA, Profesor Maksuti: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk duhet të kalojë

(VIDEO) Debat në SHENJA, Profesor Maksuti: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk duhet të kalojë

Profesori universitar Mersim Maksuti, i ftuar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, komentoi tendencat e palës maqedone brenda grupit punues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ku sugjerohej miratimi i një rezolute në vend të një ligji. Ai theksoi se nuk pajtohet me këtë qasje, pasi ligji ka nevojë për sanksione dhe mekanizma detyrues, gjë që një rezolutë nuk e garanton.

MERSIM MAKSUTI, PROFESOR UNIVERSITAR

Vërejtja ime është se nuk mund të pajtohem me grupin punues, sepse ky ligj nuk ka sanksion. Ligji është normë juridike – si mund të ketë ligj pa sanksion? Më e keqja ishte që pala maqedone në fillim insistonte të miratohej një rezolutë për këtë çështje dhe jo ligj. Ne mezi arritëm të imponojmë sjelljen e ligjit. Pala shqiptare nuk u pajtua, sepse rezoluta ka karakter politik dhe afirmativ, por nuk përmban mekanizma detyrues”.

Profesor Maksuti foli për çështjen e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se debati nëse gjuha shqipe është apo jo gjuhë zyrtare është i panevojshëm, pasi kjo çështje është e rregulluar qartë me Kushtetutën e vendit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

MERSIM MAKSUTI, PROFESOR UNIVERSITAR

Së fundmi është hapur një debat i madh lidhur me atë nëse gjuha shqipe është zyrtare apo jo. Për të qenë i sinqertë, ky debat është i kotë dhe i panevojshëm, sepse kjo çështje rregullohet dhe zgjidhet nga Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve”.

Ai sqaroi se Kushtetuta, përkatësisht Amendamenti i pestë, përcakton se gjuha zyrtare në të gjithë territorin e RMV- së është gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik, ndërsa në paragrafin e dytë theksohet se gjuhë zyrtare është edhe gjuha e qytetarëve që flitet nga së paku 20 për qind e popullsisë.

Profesori përshëndeti deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me mundësinë e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai shpreson se pas kësaj deklarate, Ministria e Drejtësisë do të veprojë pa vonesa, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për realizimin e kësaj çështjeje. /SHENJA/

MARKETING