(VIDEO) Presidentja foli për fundvit, theks të veçantë kritikave ndaj BE-së
Në prani të krerëve të lartë shtetëror, të gjyqsorit, korrit diplomatik, bashkësive fetare dhe deputetëve, presidentja e shtetit e mbajti fjalimin e saj vjetor. Në fjalimin e saj të gjatë, aq sa krijoi edhe bezdi te deputetët, Siljanovska përmendi shumë momente që e kanë karakterizuar vendin vitin që po lëmë pas. Ndërsa pothuajse i gjithë fjalimi përmbante kritika ndaj BE-së. Megjithatë ajo tha se për të, BE është sistemi politik demokratik më i preferuar dhe shtëpia jonë. Theksoi se Brukseli është destinacioni strategjik i vendit tonë.
Gordana Siljanovska, presidente
“E di që realistët do të komentojnë se e kritikoj Bashkimin Evropian përshkak të raportit ndaj nesh, sepse vlerësojmë se ne veprojmë drejtë Unionit dhe jo Unioni ndaj nesh, por edhe unë kam të drejtë të mendoj në mënyrë kritike si një ballkanase që e percepton veten si evropiane dhe pret sjellje evropiane nga BE”.
Siljanovska u shpreh se ndjehet e nënçmuar kur i parashtrohet pyetja nëse do të ndryshohet Kushtetuta. Ndërsa sipas saj, ndërrimi i Kushtetutës është kundër normave të Bashkimit Europian.
Gordana Siljanovska, presidente
“E dini përgjigjen time: kjo çështje është jashtë normave kushtetuese të BE-së, por edhe un nuk mund dhe nuk guxoj të garantoj ndryshime kushtetuese, sepse nuk jam monark absolut që nuk e respekton ndarjen e pushtetit dhe demokracinë parlamentare. Kushtetutën e ndryshoni vetëm ju, që i përfaqësoni qytetarët dhe votoni në mënyrë të pavarur dhe jo sipas bindjes sime”.
Zgjidhja e vetme e mundshme do të ishte ajo për amendamentet kushtetuese me efekt të prolonguar të vendosur në Ligjin Kushtetues për Zbatimin e Amendamenteve dhe kjo do të ishte një zgjidhje e mirë edhe për Bullgarinë, sepse, siç tha, do të përmbushte kërkesën e saj dhe më vonë do të na ndihmonte në integrimin evropian.
Presidentja u ndal pak edhe tek çështjet politike në vend, tek të cilat tha se i ka kompetencat shumë të kufizuara. Ajo përshëndeti luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe mbështetjen e partnerëve strategjik siç ishte zgjerimi i listës së zezë amerikane dhe shtoi se tani është radha e institucioneve vendase sepse qytetaërt presin rezultate konkrete dhe çdo prolongim i mëtejshëm shtoi se do të ishte tolerim i paligjshmërisë dhe padrejtësisë.
Emine Ismaili /SHENJA/