(VIDEO) Presidenti i Austrisë: Mos i dramatizoni ndryshimet kushtetuese
Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, sot në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, ka pritur në takim Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen. I pari i shtetit e vlerësoi lart këtë vizitë, pasi sipas Pendarovskit, kjo vizitë është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, sepse po zhvillohet në kohë sfiduese të krizave globale, në një kohë kur invazioni rus ndaj Ukrainës po ndryshon rrënjësisht strukturat e sigurisë, politike dhe ekonomike.
STEVO PENDAROVSKI-PRESIDENT I MAQEDONISË SË VERIUT
“Një nga temat kryesore që diskutuam ishte procesi ynë i integrimit evropian dhe me këtë rast, dua të falënderoj Austrinë për mbështetjen e fuqishme të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e padiskutueshme të vazhdueshme dhe parimore për ne në atë proces dhe kontekst”.
Presidenti Pendarovski konsideron se është e papranueshme bllokimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE për shkak të çështjeve historike. Ai i dërgoi një mesazh publik Unionit se nuk duhet të problematizohet hyrja e asnjë vendi, nëse nuk lidhet me vlerat dhe parimet reale.
Ndërkaq, presidenti austriak tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të dramatizohet.
VAN DER BELLEN, PRESIDENT I AUSTRISË
“Unë e kuptoj shumë zhgënjimin që është i pranishëm në lidhje me negociatat me Uionin. Prandaj është e rëndësishme të përfitojmë nga ky momentum, ky përshpejtim i ri, interesi i forcuar i BE-së dhe të mos humbasim asnjë kohë shtesë. Shpresoj që ky hap tjetër të realizohet”.
Presidenti austriak deklaroi se duhet shfrytëzuar momenti i krijuar dhe nuk duhet humbur shumë kohë për pëmushjen e zotimeve të marra.
Samir Mustafa /SHENJA/