(VIDEO) Policia ndalon lëvizjen në disa pyje

(VIDEO) Policia ndalon lëvizjen në disa pyje

Ministria e Punëve të Brendshme në përputhje me udhëzimet e Qeverisë, dhe me kërkesë të përdoruesve të pyjeve – Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare” dhe Parqet Kombëtare që menaxhojnë zonat e mbrojtura, ka njoftuar për ndalimin e plotë të lëvizjes në pyje dhe tokat pyjore në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Kjo masë është ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e mjedisit natyror dhe parandalimin e fatkeqësive që mund të shkaktohen nga zjarret pyjore gjatë sezonit të verës. Vendimi hyn në fuqi më 1 korrik nga ku do të zgjasë deri më 31 gusht. Për më tepër, në njoftimin zyrtar të MPB-së thuhet se për mosrespektimin e kësaj mase, individët që gjenden duke lëvizur në pyje dhe toka pyjore do të gjobiten nga 1.500 deri në 2.000 euro në kundërvlerë në denarë.

MARKETING

Ministria e Punëve të Brendshme

“Lëvizja në pyje do të lejohet vetëm me një miratim me shkrim të lëshuar nga degët e NP “Pyjet Kombëtare” dhe Parqet Kombëtare, përkatësisht për zonën që ato menaxhojnë. Për mosrespektimin e këtij ndalimi të plotë të lëvizjes në pyje dhe toka pyjore, individët që gjenden duke lëvizur në pyje dhe toka pyjore, në përputhje me nenin 106 të Ligjit për Pyjet, do të gjobiten nga 1.500 deri në 2.000 euro në kundërvlerë në denarë”.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave u bën thirrje qytetarëve për kujdes të veçantë me qëllim parandalimin e shfaqjes së zjarreve në hapësira të hapura. Sipas tyre, është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë rrezikun dhe pasojat e shfaqjes së zjarreve dhe që përmes sjelljes së tyre të kontribuojë në mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, mjedisit jetësor, pronave dhe komunitetit në tërësi.

 Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave

“Personat që kryejnë aktivitete në sipërfaqe bujqësore, si dhe blegtorët, të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë kryerjes së aktiviteteve për të mos shkaktuar djegie të pakontrolluara të tokës bujqësore apo kullotave, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe paraqet vepër penale. Element kyç në parandalimin e zjarreve me përmasa të gjera është zbulimi i shpejtë – publiku duhet të alarmojë menjëherë në 112”.

Ndërkaq, Ministria i inkurajon të gjithë qytetarët të qëndrojnë të informuar dhe të marrin masa parandaluese për të evituar shfaqjen e zjarreve në hapësira të hapura. Nga ku këshillojnë që të shmanget ndezja e çdo lloj zjarri gjatë periudhave me erë të fortë ose në kohë të thatë, të përdoren metoda më të sigurta për pastrimin e tokës dhe largimin e materialeve të djegshme.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING