(VIDEO) Plehërat ngulfasin Shkupin, Arsovska kërkon takim urgjent me Mickoskin

(VIDEO) Plehërat ngulfasin Shkupin, Arsovska kërkon takim urgjent me Mickoskin

Vazhdojnë përplasjet edhe mes kryeministrit, Hristijan Mickoski dhe kryetarës së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Mickoski është shprehur i gatshëm që të bëjë gjithçka, që vetëm e vetëm të zgjidhen problemet e banorëve të kryeqytetit. Megjithatë, nuk munguan as kritikat ndaj Arsovskës. Ai tha se viti i ri shkollor po fillon, njerëzit kanë filluar të kthehen nga pushimet, ndaj qyteti duhet të funksionojë normalisht. I pari i qeverisë tha se është i gatshëm të bisedoj me kryesinë e Qytetit të Shkupit për çdo gjë, por nëse nuk ka përparim, atëherë ai tha duhet të veprojnë në mënyrë radikale.

HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

E shihni të gjithë se çfarë po ndodh në kryeqytet. Jemi duke u mbytur në mbeturina, autobusë të prishur, gropa në rrugë. Situata me kryeqytetin është shumë e keqe dhe ne duam të ndihmojmë. Ne e dimë që situata është e keqe, por qytetarët presin që ne ta zgjidhim problemin, prandaj na kanë zgjedhur në zgjedhjet e majit. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të zgjidhur çështjet. Tani operojmë në kushte që nuk i ngjajnë kryeqytetit të një vendi që është pjesë e NATO-s dhe që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane. Jam gati në çdo hap”.

Ndërkaq, i mënjëhershëm ka qen reagimi i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovskës. Ajo është shprehur e gatshme për tu ulur në tryezë dhe të diskutojnë për këtë problematikë. Arsovska thotë se ata i kërkojnë kryeministrit Mickoski të caktojë datën, vendin, temat e diskutimit dhe formatin e takimit.

DANELLA ARSOVSKA,KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT

Temat që do t’i propozojë qyteti i Shkupit, për të cilat besojmë se duhet gjetur zgjidhje janë tejkalimi i bllokadës aktive në Këshill nga këshilltarët e shumicës qeverisëse, bllokimi i ndërmarrjeve nga Bordet e Menaxhmentit dhe votimi i programeve të punës së Ndërmarrjeve Publike. Në të njëjtën kohë, presim konfirmimin e propozimit për themelimin e një trupi të përbashkët punues mes Qeverisë dhe qytetit të Shkupit”.

Ajo shpreson në një qasje të sinqertë dhe partneriteti nga Qeveria në dobi të qytetarëve të qytetit të Shkupit.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING