(VIDEO) Peticioni për provimin e jurisprudencës,, zv/kryeministri Sali: Jemi pro kërkesës së studentëve
Zëvendëskryeministri Bekim Sali nuk pajtohet me mendimin e kolegut të tij, ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov që studentët shqiptar nuk kanë të drejtë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas tij, mendimi i dhënë nga Ministria e Drejtësisë kundër peticionit të studentëve është në kundërshtim me Kushtetutën.
Sali tha se, gjuha shqipe është zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare dhe shton se koalicioni VLEN, mbështetë kërkesën e studentëve.
BEKIM SALI, ZV/KRYEMINISTËR
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”.
Iniciativë për rishikim të vendimit të Ministrisë së Drejtësisë ka ndërmarrë edhe avokati i sapo zgjedhur i popullit, Faton Selami i cili për TV Shenja tha se deri tek institucioni në të kaluarën nuk ka pasur parashtresa, por nuk ka pasur as iniciativë nga paraardhësit për zgjidhjen e këtij problemi. Selami deklaron se me marrjen e detyrës dhe aktualizimin e problemit, me vet iniciativë ka nisur procedurë për zgjidhjen e këtij problemi.
Sipas Selamit, Ministria e Drejtësisë ka pasur kohë për përshtatje të akteve ligjore dhe nën ligjore me ligjin për gjuhët, ligj sipas të cilit gjuha shqipe është zyrtare.
FATON SELAMI, AVOKAT I POPULLIT
“Mendoj se Ministria e Drejtësisë po edhe institucionet tjera në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve kanë pasur afat kohorë sipas atij ligji që ti përshtatin, normat ligjore dhe nënligjore konform ligjit për përdorimin e gjuhëve. Por, përsëri do ta presim përgjigjen zyrtare dhe siç thash do të japim edhe rekomandimet zyrtare për zgjedhjen pozitive të kësaj çështje”.
Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës u aktualizua pasi ditë më parë Ministria e Drejtësisë refuzoi kërkesën e rreth 400 studentëve shqiptar të cilët përmes peticionit kërkuan që ky provim të mbahet në gjuhën shqipe. Kërkesën e studentëve nga Drejtësia e cilësuan si anti-kushtetues dhe thanë se për tu bërë pjesë e sistemit të drejtësisë një jurist i diplomuar duhet me patjetër ta njohë gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.
Mevludin Imeri /SHENJA/

