(VIDEO) Pesë kandidatë për kryeprokurorë, priten aplikimet me postë
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria do shprehet për kandidatët për prokuror publik shtetëror, pas mendimit të Këshilklit të prokurorëve.
Në shpalljen e Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë, e cila përfundoi të hënën në mesnatë, kanë aplikuar pesë kandidatë. Megjithatë, për përmbylljen përfundimtare të listës, është lënë një afat shtesë prej dy deri në tre ditësh për aplikime të dërguara me kohë përmes postës, por që ende nuk kanë mbërritur.
Kuvendi nuk i zbulon emrat e kandidatëve, por merret vesh se bëhet fjalë për u.d prokuroren e tanishme publike, Anita Topollova-Isajllovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjykatësi nga Gjykata penale, Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës penale, Vlladimir Pançevski, dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Pas dorëheqjes së parevokueshme të Ljupço Kocevskit në dhjetor të vitit të kaluar, funksionin e ushtrueses së detyrës së prokurores publike shtetërore e mori prokurorja Topollova-Isajllovska. Ajo ishte kandidatja e vetme për këtë pozitë, por sipas ligjit, nuk mund ta ushtrojë funksionin më gjatë se gjashtë muaj.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik shtetëror filloi më 12 janar të këtij viti, me shpalljen e publikuar nga Kuvendi në “Gazetën Zyrtare”, ndërsa afati për aplikim ishte 15 ditë. Kandidatët duhet të kenë përvojë pune të pandërprerë prej së paku dhjetë vitesh si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale. Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat i dërgohen Qeverisë, e cila më pas kërkon mendim të arsyetuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për secilin kandidat. Këshilli është i obliguar që mendimet t’i dorëzojë brenda 15 ditësh. Nëse nuk jepet mendim pozitiv për asnjë kandidat, Qeveria nuk mund të propozojë emër dhe i sugjeron Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri. Prokurori i ri publik shtetëror duhet të zgjidhet me 61 vota të deputetëve./SHENJA/

