(VIDEO) Përplasje në komisionin për zgjedhje dhe emërim, Gashi thotë se pa opozitën shqiptare nuk mund të ketë zgjedhje
Anëtari i fundit i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve i cili me ligj i takon opozitës shqipëtare, sërisht ka shkaktuar tensione dhe debate në kuvend. Në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime u tentua të vendoset në votim kandidati për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, Zylfi Adili-Qufa. Kundërshtime të ashpra pati nga opozita pasi sipas tyre ky vend i zbrazët në KSHZ, i takon opozitës shqiptare, respektivisht Lidhjes Europiane për Ndryshim. Kryetari i Alternativës Afrim Gashi sot në konferencën për media pas debatit për anëtarin në KSHZ, tha se do të bojkotojnë punën e Kuvendit nëse kandidati i tyre për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Abdush Demiri, nuk votohet deri më 31 dhjetor. Ai theksoi se pa pjesëmarrjen e opozitës shqiptare nuk mund të ketë zgjedhje në vend.
AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNARIVËS
“Pa pjesmarrjen e plotë të opozitës shqiptare nuk mund të ketë zgjedhje në këtë vend. Nuk mund të ketë zgjedhje. Sot Komisioni për Mandate dhe Emërime deshti ta hedhë në votime të dy kandidaturat që ë të shkojnë në plenum me qëllimin e vetëm që të bllokohet formimi i KSHZ-së dhe anëtarit tonë të KSZH-së. Çfarë bëjnë këta, i çojnë propozim një partie sa është formuar, ajo parti e propozon anëtarin e ASH-së, që është pjesë e shumicës, duan që përbërja e KSHZ-së të jetë 5-2. Vërtet është çmenduri kjo çfarë është duke ndodhur”.
Edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska ka reaguar e revoltuar në mbrojtje të opozitës shqiptare në Komisionin për Çështje dhe Emërime në Kuvend. Stojanoska thotë se deputetët e pushtetit në mënyrë kriminale po tentojnë të fusin në votim kandidaturën e Zylfi Adilit-Qufa për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
DAFINA STOJANOSKA, DEPUTETE E VMRO-DPMNE-SË
“Në mënyrë kriminele këtu kemi propozim nga parti në pushtet, që vetëm si pro formë është dhënë si propozim nga një parti e re e krijuar në opozitë, ndërsa propozimin e opozitës së vërtetë në Kuvend, nuk doni ta diskutoni. Jeni mbledhur këtu 7 deputetë shumicë dhe tentoni të tregoni fuqi, na lejoni që ta sheh populli se pse reagojmë. Si nuk keni turp! A nuk keni turp të përmendni emrin e Zylfi Adilit, kush është Zylfi Adili, çfarë do të na thoni për Zylfi Adilin, si erdhi për propozim? Në fund, pritët që të vijë propozimi që ta thirrni vazhdimin e kësaj seance, këto janë arsyetimet tuaja? Ky është Fronti i juaj Europian?”
KSHZ-ja për momentin ka gjashtë anëtar, tre nga LSDM-ja, dy nga VMRO-DPMNE-ja përfshirë edhe kryetarin, një nga BDI-ja ndërsa një pozitë që duhet t’i takojë opozitës shqiptare është akoma e zbrazët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/